Abdixhiku në darkën e liderëve evropianë: Kosova e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe reformave demokratike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mori pjesë në darkën e përbashkët të liderëve evropianë, e organizuar në kuadër të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (EPP). Në këtë ngjarje të rëndësishme politike, mes të pranishmëve ishin edhe personalitete të larta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderë shtetesh. Në mesin e të…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mori pjesë në darkën e përbashkët të liderëve evropianë, e organizuar në kuadër të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (EPP). Në këtë ngjarje të rëndësishme politike, mes të pranishmëve ishin edhe personalitete të larta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderë shtetesh.
Në mesin e të ftuarve ndodheshin Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kancelari austriak Christian Stocker, Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Suedisë Ulf Kristerson, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, Kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, si dhe krerë të partive anëtare të EPP-së.
Gjatë takimit, Abdixhiku riafirmoi zotimin e Kosovës për rrugën evropiane, duke theksuar rëndësinë e një vizioni të qartë nga ana e BE-së për integrimin e vendit. Ai ritheksoi kërkesën për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë këtë hap.
Kreu i LDK-së prezantoi gjithashtu përpara homologëve të tij progresin e arritur nga Kosova në fushën e reformave demokratike dhe ekonomike, si dhe në avancimin e të drejtave të njeriut – si dëshmi konkrete e përkushtimit të saj ndaj vlerave evropiane.
Në fjalën e tij, Abdixhiku ngriti gjithashtu shqetësimet për ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë një sfidë serioze për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ai shprehu bindjen e tij se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara dhe do të triumfojë, sikurse ka bërë gjithmonë.