MCC po mbyllet – Hoti akuza Kurtit: Kosova do t’i humbë 220 milionë dollarë

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë amerikane (DOGE) i Elon Musk do t’i japë fund punës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka raportuar sot Reuters, sipas një një incizimi të takimit të stafit dhe një email për stafin që e ka parë ky medium. Për këtë çështje ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,…

Lajme

24/04/2025 16:27

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë amerikane (DOGE) i Elon Musk do t’i japë fund punës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka raportuar sot Reuters, sipas një një incizimi të takimit të stafit dhe një email për stafin që e ka parë ky medium.

Për këtë çështje ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se me mbylljen e MCC do të pësojë më së shumti Kosova, ndërsa Qeverinë Kurti e akuzoi për refuzimin e Marrëveshjes së Uashingtonit – e cila u nënshkrua nga ai sa ishte kryeministër – që si rrjedhojë pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz.

“MCC po mbyllet. Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milionë dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”.

Hoti kryeministrin në largim, Albin Kurti, e quajti bukëpërmbysës që tha se me injorimin e kësaj marrëveshje, refuzoi partneritetin me SHBA-në.

“Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”.