Lahi Brahimaj: Nëse Limaj i bashkohet Vetëvendosjes, do të ishte tradhti e pastër

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te qëndrimet e kreut të Nismës, Fatmir Limaj. Në një deklaratë për media, Brahimaj tha se Limaj e ka humbur vetvetiu besimin dhe sipas tij, askush nuk duhet t’u besojë deklaratave të…

Lajme

14/04/2025 21:20

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te qëndrimet e kreut të Nismës, Fatmir Limaj.

Në një deklaratë për media, Brahimaj tha se Limaj e ka humbur vetvetiu besimin dhe sipas tij, askush nuk duhet t’u besojë deklaratave të tij, pasi ai ndryshon qëndrime shumë shpejt.

“Ai e ka humbur vetvetiu besimin që askush mos t’i besojë as deklaratës së parë, por as të dytës. Nëse brenda një muaji, një lider i ndërron qëndrimet 100%, atëherë cilës me i besu, të parës apo të dytës. Nuk i takon cilitdo burrë brenda muajit të ndërrojë 100% drejtimin”, u shpreh Brahimaj.

Duke komentuar mundësinë që Limaj t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, Brahimaj e cilësoi një veprim të tillë si tradhti.

“Unë ende po dua të besoj se z. Limaj nuk shkon, por në qoftë se e bën një gjë të tillë, do të ishte e pandershme dhe do të ishte pabesi. Do të ishte tradhti, do të ishte tradhti e pastër. Ai që i luan fjalët, është tradhti”, theksoi ai në KlanKosova.