Rreth 50 mijë të vrarë në Palestinë, zv/prokurori që akuzon krerët e UÇK-së në mbrojtje të mos-arrestimit të Netanyahut

Për ata që nuk e njohin Ward Ferdinandusse (shih foton poshtë këtij nëntitulli), ai është zëvendësprokuror i Prokurorisë së Specializuar të Hagës, aty ku po gjykohet UÇK-ja, ku po akuzohen krerët e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi si dhe bashkëluftëtarë të tjerë të tyre. Ferdinandusse, së fundmi ka nxjerrë në…

Lajme

25/03/2025 16:30

Për ata që nuk e njohin Ward Ferdinandusse (shih foton poshtë këtij nëntitulli), ai është zëvendësprokuror i Prokurorisë së Specializuar të Hagës, aty ku po gjykohet UÇK-ja, ku po akuzohen krerët e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi si dhe bashkëluftëtarë të tjerë të tyre. Ferdinandusse, së fundmi ka nxjerrë në pah hipokrizinë e këtij institucioni kinse të drejtësë. Në një opinion të gjatë të shkruar, ai ka rreshtuar arsyet pse sipas tij nuk duhet arrestuar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke u thirrur në arsyetime juridike. Pra, mbron kreun e një shteti, forcat e së cilit vlerësohet se vranë mbi 50 mijë palestinezë përbrenda një periudhe të shkurtër e plagosën mbi 100 mijë të tjerë. Por, thirret në drejtësi kur padrejtësisht, me dëshmi të dyshimta, të rreme, të fabrikuara, akuzon krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe insiston në dënimin e tyre.

 

Për Ferdinandusse, zëvendëskryeprokuror në Speciale, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk duhet arrestuar, ani pse Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar fletëarrest për të qysh në nëntor të vitit që lamë pas nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit mbi popullin palestinez në Gaza, shkruan lajmi.net.

Ferdinandusse, është thirrur në disa dispozita ligjore ndërkombëtare, që kinse sipas tij mbrojnë krerët e shteteve jo anëtare të GJNP-së (Gjykatës Ndërkombëtare Penale) ndaj fletëarresteve të lëshuara nga ky institucion.

Ai i jep aq shumë zë kapitujve juridikë për të mbrojtur Netanyahun, kur vet është pjesëmarrës në një aktakuzë absurde me dëshmitarë të diskredituar, dokumente banale të ardhura nga Serbia; një gjykate që sillet ashpër kundër të drejtave të të akuzuarve duke ua mohuar të drejtën e gjykimit në kohë të arsyeshme dhe mbrojtjes në liri, të anshme skajshmërisht kah ana e organit të akuzës.

Për më tepër, kjo hipokrizi bëhet edhe më e skajshme kur merret parasysh fakti se pikërisht argumenti që thuhet në zë të lartë nga ky zëvendëskryeprokuror, ekziston edhe në rastin e organit ku ai punon. Krerët që po akuzohen, janë arrestuar në një kohë kur kanë qenë në pozita të larta shtetërore.

“Mesazhet e fundit publike nga Gjermania dhe Hungaria në lidhje me vizitat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kanë çuar në deklarata se dështimi për të ekzekutuar urdhrin e arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) kundër Netanyahut do të shkelte ligjin ndërkombëtar. E kundërta është e vërtetë. Ky artikull diskuton se si mohimi i imunitetit nga ana e GJNP-së për kryetarët e shteteve të palëve jo-anëtare shkel ligjin ndërkombëtar dhe kërcënon autoritetin dhe legjitimitetin e GJNP-së. Për më shumë se dy dekada, GJNP-ja i ka kushtuar burime dhe vëmendje të konsiderueshme çështjeve kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë kryetarët në detyrë të shteteve. Kjo ka çuar në disa lirime ose tërheqje të akuzave dhe refuzime të shumta nga shtetet palë për të kryer urdhër-arrestet. Çështjet kundër krerëve të shteteve palë në ICC janë ligjërisht të thjeshta, sepse këto shtete kanë hequr dorë nga pretendimet për imunitet duke nënshkruar Statutin e Romës të ICC-së (neni 27). Çështjet kundër krerëve të shteteve të treta në bazë të referimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë më komplekse, por ka mbështetje të gjerë për propozimin që referimet e Këshillit të Sigurimit mund të anashkalojnë pretendimet për imunitet. Ky diskutim është i kufizuar në rastet pa përfshirje të Këshillit të Sigurimit kundër krerëve në detyrë të shteteve që nuk janë palë të GJNP-së”, shkruan Ferdinandusse.

Pra, për ta thjeshtësuar, përpara se të lexojmë pjesën tjetër të opinionit të Ferndinandusse, ky i fundit, kritikon, ose sfidon bazën e themelimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Statutin e Romës, i cili thekson se krerët shtetërorë, pavarësisht nëse shteti që ata udhëheqin është palë ose jo palë e GJNP-së, nuk kanë imunitet nga ndjekja penale për shkak të funksioneve të tij ose të saj në kohën kur janë kryer krimet në fjalë. Sipas këtij Statuti, të cilin ky zëvendëskryeprokuror e kundërshton, përgjegjësia penale e gjithësecilit lider, ekziston para GJNP-së.

“Qëndrimi i GJNP-së deri më tani është kundërshtuar nga Liga Arabe, Bashkimi Afrikan, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Pakistani, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shumë shtete evropiane pohuan publikisht se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të përfitonte nga imuniteti përballë një urdhër-arresti të GJNP-së. Praktika shtetërore flet të paktën me aq zë sa këto fjalë. Al-Bashir udhëtoi në dhjetëra vende, duke përfshirë palët e Shteteve të GJNP-së, pa u arrestuar. Kirgistani, Kazakistani, Vietnami, Meksika dhe Mongolia refuzuan të arrestonin presidentin rus Vladimir Putin, duke pohuar ose duke pohuar në mënyrë të nënkuptuar se Putini kishte të drejtën e imunitetit ratione personae. Asnjë urdhër-arresti i GJNP-së kundër një kreu në detyrë të një shteti që nuk është palë në GJNP nuk është ekzekutuar ndonjëherë”, ka theksuar zëvendëskryeprokurori i Speciales, tutje në opinionin e tij.

“Një shqyrtim i kujdesshëm zbulon se edhe disa shtete që mbështesin GJNP-në në terma të përgjithshëm nuk e mbështesin pozicionin e GJNP-së për imunitetet. Holanda është një rast i tillë. Si shtet pritës, ai është një mbështetës domethënës dhe i zëshëm i GJNP-së. Së fundmi ajo nënshkroi deklaratën e mbështetjes së 79 shteteve si reagim ndaj sanksioneve të SHBA-së kundër GJNP. Por Holanda në të njëjtën kohë (megjithëse në terma më pak të dukshëm ndërkombëtarisht) vazhdon të shprehë qëndrimin se njeh imunitete personale sipas ligjit ndërkombëtar për krerët e shteteve të treta dhe se në kundërshtim me pozicionin e GJNP-së, imunitete të tilla rregullohen nga  Statuti i Romës dhe mund të ndalonjë ekzekutimin e një urdhër-arresti të GJNP-së. Holanda e bëri këtë në 2002, në 2012 dhe përsëri në 2023. Dyshoj se ka më shumë shtete që nënshkruan deklaratën e fundit të mbështetjes, por (në praktikë) nuk ndajnë në fakt leximin e GJNP-Në për ligjin e imuniteteve ndërkombëtare, përfshirë Gjermaninë”, shkruan tutje Ferdinandusse.

Në secilën instancë, zëvendëskryeprokurori ka mbrojtur tezën e tij se Netanyahu nuk mund të arrestohet, pavarësisht rrethanave që po ngjajnë në Hagë, duke anashkaluar edhe njëherë atë që po ndodh në institucionin ku ai punon, raporton lajmi.net.

“Një problem kryesor i arsyetimit të GJNP-së është se ajo askund nuk përpiqet të artikulojë se në çfarë kushtesh një gjykatë ndërkombëtare mund t’i mohojë imunitetin të gjithë individëve, sepse ajo përfaqëson komunitetin ndërkombëtar. Është e qartë se lënia mënjanë e imuniteteve të palëve jo-shtetërore do të kërkojë dukshëm më shumë vullnet sesa marrëveshja e shumë shteteve. Shtetet nuk kanë autoritetin për të lënë mënjanë imunitetet personale të krerëve të shteteve të tjera, dhe për këtë arsye nuk mund t’ia delegojnë këtë autoritet një gjykate ndërkombëtare”, shkruan tutje ai.

Mos të harrojmë, sipas vlerësimeve të deritanishme, të transmetuara nga CNN, që nga nisja e konfliktit të fundit në Gaza, janë vrarë mbi 50 mijë palestinezë, nga të cilët 15 mijë besohet të jenë fëmijë. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve dhe numrave tragjik, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka kërkuar arrestimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu duke lëshuar fletëarrest ndërkombëtar ndaj tij. /Lajmi.net/

Opinioni i plotë:

https://www.justsecurity.org/108885/icc-immunities-heads-of-third-states/