Zelensky kërkon që Evropa të shtyjë përpara një armëpushim me Rusinë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë që ta detyrojnë Kremlinin që të ndalë sulmet ajrore dhe detare ndaj Ukrainës si hap drejt ndërtimit të besimit dhe përparimit në negociata për përfundimin e luftës dhe për të forcuar sigurinë në mbarë Evropën. “Të gjithë duhet të sigurohen që Rusia, si burimi i…

Bota
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë që ta detyrojnë Kremlinin që të ndalë sulmet ajrore dhe detare ndaj Ukrainës si hap drejt ndërtimit të besimit dhe përparimit në negociata për përfundimin e luftës dhe për të forcuar sigurinë në mbarë Evropën.
“Të gjithë duhet të sigurohen që Rusia, si burimi i vetëm i kësaj lufte, të pranojë se duhet ta përfundojë luftën”, tha Zelensky gjatë samitit të posaçëm të udhëheqësve evropianë në Bruksel më 6 mars, sipas një kopjeje të fjalimit të tij, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.
“Këtë mund ta dëshmojmë me dy forma të heshtjes që lehtë mund të monitorohen, përkatësisht: asnjë sulm ndaj infrastrukturës së energjisë dhe asaj civile – një armëpushim për raketat, bombat dhe dronët me rreze të gjatë veprimi, dhe e dyta është armëpushimi në ujë, që nënkupton asnjë operacion ushtarak në Detin e Zi”.
Pas takimit të krizës në Paris dhe Londër, samiti i 6 marsit do të përqendrohet në planin që përfshin një forcim të madh të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe “aftësive për sulme precize”. Plani kërkon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për 800 miliardë euro, teksa Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar ndihëm për Ukrainën dhe kanë sinjalizuar se Evropa duhet të luajë rol më të madh për sigurinë e saj.
“Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të pranishëm, prandaj Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa arriti në samit së bashku me Zelenskyn.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Evropën dhe Ukrainën si pjesë e familjes sonë evropiane”, tha ajo. “Është po ashtu moment shumë i rëndësishëm për Ukrainën”.
Samitit i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën. /REL/