Mbi 1000 tërmete e rrëshqitje dheu, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Santorini
Pas më shumë se një mijë tërmeteve, më i forti të mërkurën në mbrëmje me magnitudë 5.2 ballë, që nga fillimi i tufës sizmike më 27 janar, autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Santorinit. Ministria greke e Mbrojtjes Civile e mori këtë vendim për të “adresuar nevojat emergjente dhe për të…
Bota
Pas më shumë se një mijë tërmeteve, më i forti të mërkurën në mbrëmje me magnitudë 5.2 ballë, që nga fillimi i tufës sizmike më 27 janar, autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Santorinit.
Ministria greke e Mbrojtjes Civile e mori këtë vendim për të “adresuar nevojat emergjente dhe për të menaxhuar pasojat e aktivitetit sizmik që po prek arkipelagun e Kikladhes”.
Megjithëse në gjirin përballë Santorinit ndodhet vullkani Nea Kameni dhe 8 kilometra në veri-lindje vullkani nënujor Kolumbo, kriza aktuale sizmike duket se nuk ka lidhje me ta.
Sakaq mediat greke raportojnë se gjendja e jashtëzakonshme do të qëndrojë në fuqi deri më 1 mars.
Lëkundjet e vazhdueshme po rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të gurëve, ndaj për këtë arsye banorëve u këshillohet të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara. Ky lloj rreziku sipas presidentit të Shoqatës Helenike për Parandalimin e Fatkeqësive, Efthymios Lekkas është më i madh në portin e vjetër të Firës, portin e Athinios, rrjetin rrugor të Ormos, zonat Ammoudi dhe Armeni në Oia, vendbanimin Korfos dhe zonën e Monopati në Thirasia.
“Përforcime nga brigada e zjarrit, policia, roja bregdetare, forcat e armatosura dhe shërbimet mjekësore të urgjencës janë dërguar tashmë në Santorini dhe ishujt përreth me personel shtesë dhe pajisje të specializuara”, tha zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis.
Mijëra turistë dhe punëtorë sezonalë janë larguar tashmë nga Santorini me avionë dhe tragete.
Ndërkohë, kryeministri grek Qirjakos Micotaqi dhe ministri i Mbrojtjes Civile Vasilis Kikilias përsëritën thirrjen për qetësi, duke shpjeguar së bashku me shkencëtarët, kompleksitetin e fenomenit gjeologjik.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, zona e prekur është ndër më aktivet sizmikisht në harkun vullkanik helen. “Evolucioni i tufës aktuale sizmike është i pasigurt”, thuhet në një shënim nga INGV.