Shaka me qytetarët: Komuna e Prishtinës tha mos t’i paguajnë faturat e mbeturinave, “Pastrimi” bën thirrje për pagesë

Komuna e Prishtinës dje përmes një komunikate për media, ka njoftuar qytetarët e Prishtinës se nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e tyre nga muaji janar e tutje, tek Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”. Sipas tyre, këto fatura duhet t’i paguajnë tek Komuna e Prishtinës, shkruan lajmi.net. Në lidhje me këtë ka reaguar KRM…

Lajme

06/02/2025 10:58

Komuna e Prishtinës dje përmes një komunikate për media, ka njoftuar qytetarët e Prishtinës se nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e tyre nga muaji janar e tutje, tek Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”.

Sipas tyre, këto fatura duhet t’i paguajnë tek Komuna e Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë ka reaguar KRM “Prishtina” përmes një postimi në Facebook të cilët i kanë ftuar qytetarët që të vazhdojnë t’i kryejnë pagesat me rregull.

“Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

KRM “Pastrimi” sh.a. u bën thirrje qytetarëve të paguajnë faturat e mbeturinave në pikat e saj zyrtare

KRM “Pastrimi” sh.a. rikujton të gjithë qytetarët e Prishtinës se, në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi Komunal, faturimi dhe pagesa për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave duhet të kryhet drejtpërdrejt në pikat zyrtare të “Pastrimit”. Ky vendim është në fuqi dhe mbetet plotësisht i zbatueshëm.

Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama. Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm.

Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë.

Mos lejoni që keqmenaxhimi dhe interesat financiare të cenojnë cilësinë e shërbimit publik! Paguani faturën tuaj në “Pastrimi” dhe kontribuoni në një Prishtinë më të pastër dhe më të rregulluar!