Haradinaj: Draftin e Asociacionit do ta dërgojmë në Kushtetuese, s’ka më përkëdhelje nga ShBA-ja

Në planet kryesore të Ramush Haradinajt nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është që qysh në takimin e parë që do ta mbante në Qeveri do të vendoste për ta dorëzuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Përveç kësaj, Haradinaj mëton që nën mandatin e tij…

Lajme

06/02/2025 10:50

Në planet kryesore të Ramush Haradinajt nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është që qysh në takimin e parë që do ta mbante në Qeveri do të vendoste për ta dorëzuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Përveç kësaj, Haradinaj mëton që nën mandatin e tij të mundshëm, Kosova mos të vazhdojë më Dialogun me Serbinë, por ky shtet të trajtohet si një vend jonjohës, me të cilin ndahen interesat e përbashkëta.

Ai beson që Kosova është diskualifikuar nga partneriteti që ka pasur me fuqinë botërore dhe se tani duhet të bëj gjithçka për t’u rreshtuar në krahët e Amerikës.

Këto veprime, ai premton që do t’i ndërmarr në mënyrë që Kosova të kualifikohet si palë serioze.

“Mendoj që me mujt me bind presidentin Trump, Serbia na njeh. Nëse i thotë për 24 orë, Serbia na njeh për 23 orë. Pra qëllimi im, strategjia ime është që me mujt sa ma shpejt me hy në tavolinë te presidenti Trump duke ditë që është krejt ndryshe, është ndryshim tektonik që ka ndodhë në botë”- ka theksuar Haradinaj, duke shtuar e epoka e Trumpit është e paparë më herët dhe se Kosova duhet ta zë hapin në mënyrë që mos të ketë pasoja të mëdha.

Për Dialogun Kosovë-  Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian (BE) që nga viti 2013, ai thotë se mos të vazhdohet më me arsyetimin se ka një “inflacion të kontratave” prej nisjes së tij.

Haradinaj thotë se administratat e mëhershme të SHBA-së e kanë toleruar, duruar, mbrojtur dhe përkedhelur Kosovën, por një gjë e tillë nuk do të ndodh nga administrata Trump.

“Nuk i intereson kësaj [administrate] a je mirënjohës a mosmirënjohës. Nuk e kanë më atë problem. Zgjidhja e jote është: na kushton pare, nuk je në linjë me ne, nuk je partner i besueshëm- vazhdo. Unë mendoj me ndërru këtë. Na duhet me u rikualifiku. Kjo ka me qenë bukur e zorshme se është një administratë vërtetë shumë interesant, ndryshe se çfarë ka parë bota më parë”- shprehet Haradinaj.