Qytetarët po ankohen për çmime të larta në faturat e ngrohjes, nga “Termokosi” thonë se kanë formuar komision për ankesa
Qytetarëve të kryeqytetit iu është rënduar gjendja ekonomike gjatë muajve të dimrit, e një ndër arsyet është edhe fatura e lartë për ngrohje që po e pranojnë gjatë këtij viti. Kompania e cila furnizon qytetarët me ngrohje, “Termokos” këtë vit faturat po i lëshon bazuar në shpenzimet e tyre e jo siç paguanin më parë…

Lajme
Qytetarëve të kryeqytetit iu është rënduar gjendja ekonomike gjatë muajve të dimrit, e një ndër arsyet është edhe fatura e lartë për ngrohje që po e pranojnë gjatë këtij viti.
Kompania e cila furnizon qytetarët me ngrohje, “Termokos” këtë vit faturat po i lëshon bazuar në shpenzimet e tyre e jo siç paguanin më parë varësisht se sa metra katrorë i posedojnë banesat.
Ky ndryshim i bërë po iu “kushton” shumë kryeqytetasve pasi edhe po bëjnë ankesa në vazhdimësi, shkruan lajmi.net.
Ata po raportojnë në media se faturat janë shumë të fryra dhe nuk se po vinë konform shpenzimeve të tyre, por siç thonë ata “paushall”.
Një gjë e tillë po mohohet nga kompania në fjalë “Termokos”, pasi që sipas tyre vendosja e pajisjeve matëse në radiator, qëllim të vetëm ka kursimin e energjisë termike, përkatësisht kontrollin e konsumatorëve në shpenzimet e tyre për ngrohjen, gjë që do të mundësonte edhe zvogëlimin e shpenzimeve të tyre.
Sipas kompanisë “Termokos” mbi 60% e konsumatorëve kanë pranuar fatura më të ulëta pas instalimit të këtyre pajisjeve ndërsa mbi 30% e tyre kanë fatura më të larta, shkruan lajmi.net.
“Me qëllim të trajtimit me kujdes të shtuar dhe profesional, NP “Termokos” ka formuar një komision për shqyrtimin e ankesave, i cili po merret me trajtimin e secilës ankesë, që kemi pranuar nga konsumatorët tanë. Mbi 7 mijë konsumatorë, që kanë të instaluara pajisjet matëse janë duke u faturuar sipas konsumit. Pra, konsumatorët faturohen vetëm për aq sa shpenzojnë, bazuar në tarifat dhe metodologjinë e faturimit të përcaktuar nga ZRRE”, ka thënë për lajmi.net Afërdita Uka, zëdhënëse në kompaninë “Termokos”.
Uka ka shpjeguar më tej edhe çështjen e konsumit të përbashkët, e për të cilën po ankohen qytetarët.
“Konsumi i përbashkët paraqet sasinë e energjisë ngrohëse të pamatur nga matësit individual të nxehtësisë, por përfshihet në faturë sipas metodologjisë së ZRRE. Kjo energji shpërndahet përmes sistemeve të ngrohjes që kalojnë nëpër ndërtesa (gypa, pllaka ndarëse, etj). Rreth 20% e konsumit të nënstacionit ndahet për konsum të përbashkët dhe vlera e tij ndryshon çdo muaj, në varësi të konsumit total”, ka thënë Uka për lajmi.net.
Nga fillimi i këtij sezoni dimëror, kur qytetarët kanë pranuar faturat e para më 8 nëntor 2024, NP “Termokos” ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e faturave sipas konsumit.