​Operacion ndërkombëtar, pesë persona arrestohen në Shqipëri

Policia e Shtetit ishte pjesë e një megaoperacioni ndërkombëtar ICARO.AL për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Sipas njoftimit të Policisë, në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar ICARO.AL, të iniciuar nga autoritetet italiane, Policia e Shtetit në Shqipëri, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, SPAK, dhe agjencitë…

Lajme

21/01/2025 15:22

Policia e Shtetit ishte pjesë e një megaoperacioni ndërkombëtar ICARO.AL për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Sipas njoftimit të Policisë, në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar ICARO.AL, të iniciuar nga autoritetet italiane, Policia e Shtetit në Shqipëri, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, SPAK, dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, ka zbuluar dhe ndaluar disa shtetas të përfshirë në një rrjet kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe vendeve të Evropës Qendrore.

Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë, raporton ATSh.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Shtetit ka lokalizuar dhe arrestuar në Shqipëri pesë persona, të cilët pritet të ekstradohen. Të arrestuarit janë: Igli Dervishi, 30 vjeç, banues në Elbasan; Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, banues në Elbasan; Ervin Dema, 40 vjeç, banues në Elbasan; Edmond Zhuja, 41 vjeç, banues në Shkodër; Genti Berisha, 28 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, falë informacionit të siguruar nga Policia shqiptare, është arrestuar në Spanjë një tjetër pjesëtar i grupit kriminal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent penal.

Gjatë operacionit është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal dhe për vepra të tjera penale. Policia po punon në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Sipas Gjykatës së Breshias në Itali, grupi kriminal ishte i organizuar për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, duke përdorur automjete të modifikuara për fshehjen e drogës. Kokaina transportohej dhe shpërndahej më pas në qytete të Italisë dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.

Operacioni përfshiu Strukturat për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Njësinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe SPAK-un. Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët për finalizimin e ekstradimeve.