IKSHPK: 20 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë, apelohet për vaksinim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar 20 raste të fruthit në periudhën 16 prill – 25 maj 2026. Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit janë raportuar edhe dy raste të reja të kësaj sëmundjeje ngjitëse. Rastet janë të shpërndara në disa komuna të vendit:…

Lajme

25/05/2026 19:36

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar 20 raste të fruthit në periudhën 16 prill – 25 maj 2026.

Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit janë raportuar edhe dy raste të reja të kësaj sëmundjeje ngjitëse.

Rastet janë të shpërndara në disa komuna të vendit: Ferizaj (7 raste), Prishtinë (4 raste), Kaçanik (4 raste), si dhe nga një rast në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan, Shtime dhe Obiliq.

IKShPK thekson se të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR dhe shumica e tyre kanë kërkuar trajtim spitalor.

Instituti u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të simptomave si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë dhe rrufë.

Duke pasur parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit, IKShPK apelon te prindërit që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin e tyre në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti thekson se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik në vend. /Lajmi.net/