“Lodhja Dokrratike e Kosovës”, VV-ja dënohet me 3.500 euro nga PZAP-ja pas fjalimit ofendues të Kurtit ndaj LDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar për të dytën herë Lëvizjen Vetëvendosje me gjobë 3 mijë e 500 euro për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti. Ky vendim i PZAP, vjen pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën Kurti gjatë një tubimi zgjedhor…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar për të dytën herë Lëvizjen Vetëvendosje me gjobë 3 mijë e 500 euro për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.
Ky vendim i PZAP, vjen pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën Kurti gjatë një tubimi zgjedhor në Podujevë e kishte quajtur si “Lodhja Dokrratike e Kosovës”.
“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI-Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhja, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratilke. E në përgjithësi mendermethanë opozita po i japin zor mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës.”, ishte shprehur Kurti.
Ndërkaq, në arsyetimin e PZAP, thuhet se me këtë deklaratë Kurti ka bërë shkele të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11.
“Me datë 17.01.2025 PZAP ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën pretendon se në qytetin e Podujevës me datë 15.01.2025 në ora 18:00 në tubimin politik të subjektit Lëvizja Vetëvendosje kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual gjatë fjalimit të tij ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11 i cili shprehimisht thotë “përdorimi i gjuhës në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”, thuhet në arsyetimin e PZAP.
Vetëm pak ditë më parë VV-ja ishte dënuar me 3000 euro fjalimit të Kurtit në një tubim zgjedhor në Pejë. Aty Kurti e kishte deformuar akronimin e LDK-së në “LËDËKYHI”, çka kishte nxitur ankesën e LDK-së në PZAP.
Ndërkaq, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa konfirmuan për Lajmi.net se deri më sot janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 125 mijë eurove ndaj subjekteve politike, të gjitha këto për shkelje të rregullave zgjedhore. /Lajmi.net/