Inaugurimi i Trumpit: Kush do të marrë pjesë nga Kosova?
Pasi që fitoi zgjedhjet në nëntor të vitit të kaluar, Donald Trump të hënën pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku zyrtarisht do të bëhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si çdo herë, edhe kësaj radhe, dita e inaugurimit përfshin një ceremoni formale betimi, përformanca muzikore, një paradë festive dhe…
Lajme
Pasi që fitoi zgjedhjet në nëntor të vitit të kaluar, Donald Trump të hënën pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku zyrtarisht do të bëhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si çdo herë, edhe kësaj radhe, dita e inaugurimit përfshin një ceremoni formale betimi, përformanca muzikore, një paradë festive dhe një numër ballosh formale.
Gjatë ditës së premte, u njoftua se inaugurimi i Trumpit, do të zhvendoset në ambiente të mbyllura, për shkak të temperaturave të ftohta të parashikuara në kryeqytetin amerikan.
Kush nga Kosova do të merr pjesë në këtë inaugurim?
Liderë e emra të njohur të politikës dhe ekonomisë nga Kosova, do të jetë të pranishëm në inaugurimin e presidentit, Donald Trump, të hënën më 20 janar në Uashington DC në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan.
Bekim Kupina nga kabineti i Osmanit, ka thënë për Nacionalen se Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, kështu duke mos marrë pjesë vet.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve), për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Megjithatë, duke u bazuar në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Ëashington D.C. Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili, së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.” – ka thënë ai.
Ajo se çfarë dihet tashmë, i pranishëm në këtë ceremoni do të jetë kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, më 15 janar njoftoi se me ftesë të veçantë të Presidentit Donald Trump, Pacolli do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.
Ai tutje ka shkruar se për Pacolli, marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë me rëndësi të veçantë, dhe lidhja e tij shumëvjeçare me Presidentin Trump pasqyron këtë përkushtim.
“Presidenti Pacolli është i bindur se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Kosova do të vazhdojë të forcojë pozicionin e saj global, të tejkalojë izolimin ndërkombëtar aktual dhe të arrijë përparime të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë.” – ka shkruar Zyberaj.
Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Trumpit.
Haradinaj ka udhëtuar për në ShBA gjatë ditës së premte, ku për këtë ka njoftuar kandidati i AAK-së për deputet, Haki Abazi.
“Sot jemi nisur për vizitë në Uashington D.C, për me i vazhdu punët e mira dhe punët e mbara! Rrugës për në festën e madhe të inaugurimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump.” – ka shkruar Abazi, ku ka postuar një fotografi së bashku me Haradinajn.
Nga Partia Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ditë më parë ka njoftuar se do të jetë i pranishëm në këtë ceremoni.
“Deputeti Hisen Berisha ftohet në inaugurimin e Donald J. Trump si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara dhe JD Vance si nënkryetari i 50-të i Shteteve të Bashkuara në Uashington, D.C., të hënën, më 20 janar 2025.” – është thënë në njoftimin e faqes zyrtare të Berishës në “Facebook”.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, është gjithashtu personalitet nga Kosova që do të merr pjesë në inaugurimin e Trumpit.
“Është një nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj i madh për mua të jem e ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.” – ka shkruar ajo, duke vazhduar se ShBA-ja ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i madh, një partner i pazëvendësueshëm që ka qëndruar krah nesh në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit tonë.
Drejt Uashington DC për inaugurimin e Trumpit ka udhëtuar edhe biznesmeni i njohur kosovar, Shkëlqim Devolli.
Klan Kosova, dy ditë më parë ka raportuar se “aksionari i “Devolli Corporation” ka marrë ftesë nga ekipi organizues i ceremonisë që mbahet në Uashington DC, ku Presidenti i 47 i SHBA-së do të japë betimin solemn, para se të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë”.