Qeveria miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës prej 20%
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 për qind për kategoritë e dala nga lufta. Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se rritja prej 20 për qind e pensioneve mbi shumën aktuale do të bëhet për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e…
Lajme
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 për qind për kategoritë e dala nga lufta.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se rritja prej 20 për qind e pensioneve mbi shumën aktuale do të bëhet për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile.
“Ashtu siç e patëm bërë njoftimin në tetor të vitit të kaluar, gjatë janarit, sot edhe edhe zyrtarisht do të aprovohet rritja prej 20 për qind e pensioneve mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka shpalosur propozimin, ku të gjithë familjet që kanë dy dëshmor apo edhe dy invalidë e më shumë do të kenë rritje mbi 20 për qind.
“Kam nderin të prezantoj propozim vendimin për rritjen e pensioneve të kategorive të dala nga lufta. Më konkretisht do të rriten pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, pra duke filluar nga familja që ka dhënë një dëshmor pra rritja do të jetë 20%, kurse familjet që kanë një apo më tepër dëshmorë rritja do të jetë më shumë se 20%”.
“Ngjashëm do të jetë edhe për pensionet familjare për familjet e të zhdukurve të UÇK-së, pra familja me 1 të zhdukur do të ketë rritje prej 20%, ndërkaq familjet që kanë dy apo më tepër rritja do të jetë përtej 20 përqindshit”.
“Ngjashëm edhe pensionet invalidore për invalidët e UÇK-së, pra do të rriten të gjitha kategoritë me 20 për qind, si dhe shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët e UÇK-së pra kujdestari për invalidin me dëmtim trupor mbi 80 për qind, po ashtu do të ketë rritje per 20 për qind. Ngjashëm edhe për pensionet familjare pas vdekjes së invalidit të UÇK-së do të ketë rritje për të gjitha kategoritë”, ka thënë Murati.