Rrjeti energjetik i Kosovës në kolaps, nga 6 linja ndërkombëtare vetëm 2 janë funksionale

Kosova aktualisht përballet me një situatë të vështirë në sektorin energjetik, ku mungesa e qasjes në linja të transmisionit ndërkombëtar dhe politikat e diskutueshme të menaxhimit nga KOSTT kanë sjellë pasoja të mëdha për konsumatorët kosovarë. Nga gjashtë linjat e transmisionit që lidhin Kosovën me vendet fqinje dhe tregun ndërkombëtar, aktualisht vetëm dy janë funksionale:…

Lajme

25/12/2024 16:23

Kosova aktualisht përballet me një situatë të vështirë në sektorin energjetik, ku mungesa e qasjes në linja të transmisionit ndërkombëtar dhe politikat e diskutueshme të menaxhimit nga KOSTT kanë sjellë pasoja të mëdha për konsumatorët kosovarë.

Nga gjashtë linjat e transmisionit që lidhin Kosovën me vendet fqinje dhe tregun ndërkombëtar, aktualisht vetëm dy janë funksionale: një me Malin e Zi dhe tjetra me Maqedoninë. Linjat me Serbinë (400 kV dhe 220 kV) janë bllokuar pas pranimit të KOSTT në ENTSO, ndërsa dy linjat Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vendosur nën kontrollin e platformës ALPEX, duke i bërë ato të papërdorshme për Kosovën në tregjet ndërkombëtare.

 

Për pasojë, Kosova është e shkëputur nga tregjet italiane, greke, maqedonase dhe malazeze përmes Shqipërisë, ndërkohë që kapacitetet përmes linjave ekzistuese janë shumë të kufizuara.

 

“Kosova ka linja të transmisionit me të 4 vendet fqinje të saj, përkatësisht me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat sa i përket pjesës së Kosovës, menaxhohen nga KOSTT-i.

 

Me pranimin e KOSTT në ENTSO, Serbia ka bllokuar linjat e transmisionit me Kosovën, prej nga vendi ishte i lidhur me botën. Në drejtim të Serbisë ekzistojnë dy linja, një 400 kV dhe tjetra 220 kV, të dyja të bllokuara për Kosovën.

 

Fatkeqësisht, me krijimin e ALPEX, ku themelues janë KOSTT nga Kosova dhe OST nga Shqipëria, dy linjat e interkonieksionit, përkatësisht 400 kV dhe 220 kV Kosovë- Shqipëri janë vënë komplet në dispozicion të ALPEX. Kjo bën që asnjë kilovat të mos mund të kalojë jashtë kësaj berze duke e mbyllë edhe një rrugë të Kosovës me botën sa i përket rrjedhës së energjisë. E në Alpex nuk kalon thuajse asnjë MW, pasi edhe Kosova, edhe Shqipëria nuk kanë rrymë tepër, të dy vendet janë importuese të rrymës e jo eksportuese.

 

Kjo e bllokon qasjen e Kosovës përmes Shqipërisë me tregun Italian, grek, maqedonas dhe malazez, sikurse vendet tjera që ndërlidhen me to.

 

Lidhja e Kosovës me tregun ndërkombëtar mund të realizohet vetëm përmes Malit të Zi ose Maqedonisë.

 

Pra, nga 6 linja me botën, përkatësisht 4 linja 400 kV dhe 2 nga 220 kV, Kosova ka qasje në vetëm 2 prej tyre”.

 

Kjo situatë ka sjellë një rritje të ndjeshme të kostove për transportin e energjisë.

 

Nga taksa dhe shpenzime që dikur arrinin 2-3 milionë euro në vit, këto shpenzime kanë kapur shifrën e 30 milionë eurove për këtë vit dhe pritet të arrijnë deri në 40 milionë euro vitin e ardhshëm. Për çdo megavat të importuar, transporti kushton deri në 400 euro, duke bërë që çmimi total i energjisë të arrijë deri në 700 euro/MW – një shifër shumëfish më e lartë se çmimi mesatar i berzave ndërkombëtare.

 

“Kapacitetet aty janë shumë të kufizuara, Kjo ka bërë që taksa dhe kostot që zakonisht kushtonin 2-3 milionë euro në vit, të arrijnë në 30 milionë euro sivjet dhe sipas projeksioneve 40 milionë euro vitin e ardhshëm. E gjithë kjo shumë monetare në fund do të paguhet përmes tarifave nga konsumatori kosovar, përmes rritjes së tarifave.

 

P.sh. vetëm taksat dhe kostot tjera për një megavat të importuar kanë arritur deri në 400 euro, që është jashtë çdo logjike. Pra, kur çmimi në berza ka qenë 300 euro/MW, Kosova përmes politikave të mbrapshta të KOSTT-it ka paguar deri në 700 euro/MW.

 

Kjo kosto shtesë në fund i transferohet konsumatorëve përmes rritjes së tarifave, duke ngarkuar qytetarët me një barrë të rëndë ekonomike. Për shembull, transporti i një kilovati energjie kushton deri në 40 cent, ndërsa çmimi që paguajnë konsumatorët për energjinë është vetëm 7 cent për kW.

 

Ne paguajmë për ta sjellë përmes Maqedonisë dhe Malit të Zi rrymën duke paguar vetëm për transport deri në 400 euro për MW, ndërsa linjat Kosovë-Shqipëri, prej nga mund të importohen 600 MW, rri thatë. E ka bllokuar KOSTT-i. Për ilustrim, 400 euro i bie 40 centë për kW, ndërsa çmimi i rrymës për konsumatorët e amvisërisë në Kosovë është 7 centë/kW. Pra, vetëm transporti i importit kushton deri në afro 6 fish më shtrenjtë se ajo që paguhet në fatura. Por, kjo do të ndryshojë qysh vitin e ardhshëm për shkak të këtyre malverzimeve. Pra, çmimi i energjisë pashmangshëm do të rritet, pasi shteti i Kosovës ka vendosur ta bllokojë veten ndërkombëtarisht”.

 

KOSTT është kritikuar për bllokimin e linjave Kosovë-Shqipëri përmes ALPEX, një vendim që ka ndikuar negativisht në rrjedhën e energjisë dhe ka rritur kostot për qytetarët. Për më tepër, as Qeveria e Kosovës dhe as KOSTT nuk kanë ndërmarrë hapa për të zhbllokuar linjat ndërkombëtare të bllokuara nga Serbia, duke mos shfrytëzuar të drejtën e tyre në ENTSO.