Eurodeputeti austriak: Shteti serb po i mbron kriminelët
Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, duke komentuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit thotë se grupe të caktuara kriminale kanë për qëllim të përhapin pasiguri në pjesën veriore të Kosovës. Ai mes tjerash ka folur edhe për sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku thotë se qëllimi ishte te shpërthente një luftë civile. Waitz shprehet…
Lajme
Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, duke komentuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit thotë se grupe të caktuara kriminale kanë për qëllim të përhapin pasiguri në pjesën veriore të Kosovës. Ai mes tjerash ka folur edhe për sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku thotë se qëllimi ishte te shpërthente një luftë civile. Waitz shprehet kritik ndaj Serbisë që nuk po i dënon përgjegjësit e sulmeve. Këto deklarata ai dha për Tëvë1.
Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturën jetike, mirëpo më e keqja u parandalua nga institucionet e vendit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e cilësoi aktin si terrorist që u orkestrua kryekëput nga shteti fqinj, Serbia.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mohoi të gjitha akuzat se vendi i tij ka gisht në atë sulm.
Mirëpo, eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë për Tëvë1 së në veriun e Kosovës ka grupe të caktuara kriminale që sipas tij kanë për qëllim të përhapin sa më shumë pasiguri.
“Ky kanal jo, vetëm që i shërben shumicës së popullsisë me ujë të pijshëm, por është shumë i rëndësishëm edhe për burimet energjisë. Pra ishte një sulm i pajustifikueshëm që në shikim të parë duket se ishte i organizuar nga bandat kriminale. Gjatë periudhës së fundit kanë ndodhur shumë sulme në pjesën veriore. Qëllimi i grupeve të caktuara kriminale është që të përhapin pasiguri dhe ndarje për të krijuar polarizim”, tha eurodeputeti Waitz.
Diplomati austriak, sulmin në Ibër-Lepenc e ndërlidhë me zhvillimet e brendshme politike në Serbi.
Ai thotë se sa herë që Vuçiq është në një pozitë të vështirë diçka e papritur ndodh në Kosovë për ta larguar vëmendjen e serbëve.
“Edhe pse akoma nuk mund të dëshmohet, duhet thënë se ky sulm ndërlidhet me trazirat e brendshme në Serbi. Sa herë që Vuçiq është në një pozitë të keqe atëherë papritmas diçka ndodhë në Kosovë. Me këtë Vuçiq ka për qëllim të shkëpusë vëmendjen e popullatës nga problemet e brendshme të demokracisë serbe tek çështjet e Kosovës. Por, natyrisht që duhet të priten hetimet e plota për të kuptuar më shumë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Është shumë e rëndësishme që ka trupa ndërkombëtar në atë pjesë të vendit për të ofruar siguri për krejt qytetarët”, tha ai.
Waitz ka kujtuar edhe sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai shprehet kritik që Serbia nuk ndërmori masa ndaj atyre që ishin përgjegjës për aktin terrorist.
“Para sulmit në Ibër-Lepenc e kemi parë shumë qartë se çfarë ndodhi në Banjskë. Është për keqardhje që Serbia nuk po ndërmerr asgjë për t’i dënuar përgjegjësit e sulmit të 24-shtatorit. Pushteti në Serbi jo vetëm që nuk po i dënon përgjegjësit por përkundrazi po i mbron ata. Qëllimi në Banjskë ishte që të shpërthente një luftë civile por fatmirësisht u evitua”, deklaroi Waitz.
Gjatë ditës së djeshme, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, tha se sipas, AKI-së, prapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Milan Radoiçiq i mbështetur nga Serbia.