Policia jep detaje për aksionin e realizuar në veri ku u gjetën armë, municion e uniforma ushtarake

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për aksionin i cili u realizua sot në një lokacion të Zubin Potokut. Policia e Kosovës ka shkruar se në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike…

Lajme

03/12/2024 19:48

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për aksionin i cili u realizua sot në një lokacion të Zubin Potokut.

Policia e Kosovës ka shkruar se në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut.

Ky aksion policor ka rrjedhur për shkak të këtyre sulmeve të fundit, shkruan lajmi.net.

“Sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Pas verifikimit të informacionit njësite policore kanë kryer kontrollin në objekte ndihmëse ku në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra u zbuluan disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake, të cilat janë sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Dëshmitë e gjetura: 
• Një armë AK-47 e demontuar.
• Shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët.
• Pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike.
• Municion të kalibrave të ndryshëm.
• Një helmetë ushtarake.
• Dhjetë rripa për uniforma ushtarake.
• Një kapelë ushtarake.
• Dy çantë ushtarake.
• Një shall kamuflazhi për snajper.
• Një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë.
• Disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez.
• Disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj
“Të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente.
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në ruajtjen e rendit kushtetues dhe njëherit siguron qytetarët pa dallim se këto masa janë ndërmarrë në interes të sigurisë së tyre, parandalimit të akteve kriminale, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private, si dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë, në mënyrë që qytetarët e asaj zone të kenë një jetë më të qetë e më të sigurt.
Luten qytetarët që të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës e cila është në shërbim të tyre dhe për çfarëdo informate që ndërlidhet me sigurinë ta njoftojnë Policinë, në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected]”, thuhet mes tjerash.
Postimi i plotë i Policisë së Kosovës: