Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Prokurorit i reagon Murati pasi tha se Prokuroria Speciale s’po e lufton korrupsionin, por Albin Kurtin

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e kryeprokurorit të shtetit kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, të bërë dje për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Dje ministri Murati tha se Prokuroria Speciale s’po interesohet ta luftojë korrupsionin, por po interesohet “ta luftojë Albin Kurtin”. Pas kësaj, Këshilli Prokurorial…

Lajme

25/11/2024 09:38

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e kryeprokurorit të shtetit kanë reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, të bërë dje për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Dje ministri Murati tha se Prokuroria Speciale s’po interesohet ta luftojë korrupsionin, por po interesohet “ta luftojë Albin Kurtin”.

Pas kësaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe ZKPSH kërkojnë që bartësit e funksioneve qeveritare të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos pengojnë punën e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale dhe kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

”Puna dhe veprimet e prokurorëve të shtetit, përfshirë këtu Prokurorinë Speciale, janë objektive, profesionale, të bazuara në ligj, prova dhe fakte. Andaj, tendencat e akterëve të partive politike, përfshirë këtu përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët synojnë të minojnë kredibilitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë Speciale, kanë qenë dhe do të jenë të dështuara.”,thuhet në reagim.

Tutje u tha se KPK dhe ZKPSH mbështesin Prokurorinë Speciale në ushtrimin e funksioneve të saj, përkatësisht në luftën e pakompromis ndaj të gjitha veprave penale që kjo prokurori i ka në kompetencë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për procedurat e prokurimit të realizuara përmes metodës së negociuar, duke i quajtur ato shpifje dhe manipulim.Duke folur për këtë cështje, ministri Murati kritikoi Prokurorinë Speciale.

“Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin. Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për “kontratat njëburimore” (termi i përdorur nga opozita), e jo “kontratat me procedurë të negociuar” siç është termi zyrtar.”./Lajmi.net/