Vrasja e dy të rinjve mbrëmë, Prokuroria njofton se do të intervistohen edhe shumë persona tjerë

Dy persona kanë humbur jetën si shkak i plagëve të marra nga arma e zjarrit që u shkrep mbrëmë në Klinë. Viktimat në këtë rast ishin kushëri, e të njëjtit ishin të moshës së re. Saktësisht nga ngjarja tragjike në Klinë humbën jetën Rexhep Shlivova dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë. Ngjarja ndodhi në momentin…

Lajme

14/11/2024 08:22

Dy persona kanë humbur jetën si shkak i plagëve të marra nga arma e zjarrit që u shkrep mbrëmë në Klinë.

Viktimat në këtë rast ishin kushëri, e të njëjtit ishin të moshës së re.

Saktësisht nga ngjarja tragjike në Klinë humbën jetën Rexhep Shlivova dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë.

Ngjarja ndodhi në momentin kur viktimat po qëndronin në një lokal në qendër të Klinës.

Si fillim njëri nga viktimat ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, kurse tjetri nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.

Ngjarjen tragjike në Klinë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai ka bërë të ditur se policia u njoftua rreth orës 17:15 të së mërkurës për një gjuajtje me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi”, brenda një lokali të qytetit.

“Gjatë operacionit, mjeku kujdestar ka konstatuar se një person është pa shenja jete, ndërsa një tjetër është dërguar menjëherë në emergjencë për trajtim të mëtejshëm”, tha Gashi.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë organet kompetente, përfshirë policinë dhe ekipet e emergjencës mjekësore.

E drejtori rajonal i Policisë, Shaban Shala, ka konfirmuar detaje rreth rastit, duke deklaruar se viktimat janë të moshës 20 dhe 21 vjeç.

“Kur kemi arritur në vendngjarje, kemi gjetur një viktimë aty dhe i dyshuari kishte ikur. Si pasojë e kësaj, kemi një person që nuk kishte shenja jete dhe një tjetër që ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin Rajonal të Pejës, pasi nuk ka mundur të përballojë plagët”, tha Shala.

Ai tutje tregoi se bëhet fjalë për 4-5 gjuajtje me armë zjarri.

Në lidhje me rastin nga Policia e Kosovës është arrestuar personi i dyshimtë.

Nga Prokuroria e Pejës u tha se do të intervistohen edhe shumë persona të tjerë, të cilët do të mund të kenë njohuri në lidhje me këtë rast.

“Nga të shtënat me armë zjarri kanë humbur jetën dy persona, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe për fat të mirë njësitet policore në Klinë kanë lokalizuar personin e dyshuar, dhe më pas e kanë arrestuar”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Mbrëmë personi i dyshuar është intervistuar nga prokurori i shtetit dhe hetuesit policor, dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

“Po ashtu prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, dhe për shkaqe konfidenciale do të intervistohet edhe shumë persona të tjerë, të cilët mund të kenë njohuri lidhur me këtë rast që pruri në këtë rast tragjik”.

I dyshuar për kryerjen e kësaj vrasje të dyfishtë është J.H, 19 vjeçar./Lajmi.net/