Nuk dihet kur do të takohen Kurti dhe Vuçiq, por nga BE-ja kërkojnë urgjentisht krijimin e Asociacionit dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Kosova vazhdon të jetë ndër pikat më të ndjeshme të Ballkanit Perëndimor. E situata bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në Ballkan, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë dhe dialogun që zhvillohet tash e sa vite në mes dy vendeve. Por kjo situatë është paraparë të ndryshojë paksa pas ardhjes në pushtet të presidentit…
Lajme
Kosova vazhdon të jetë ndër pikat më të ndjeshme të Ballkanit Perëndimor.
E situata bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në Ballkan, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë dhe dialogun që zhvillohet tash e sa vite në mes dy vendeve.
Por kjo situatë është paraparë të ndryshojë paksa pas ardhjes në pushtet të presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.
Madje nga reagime të ndryshme në Kosovë dhe më gjerë theksohet se Trump do të mund të “interesohet” personalisht sa i përket dialogut, Speciales e shumë zhvillimeve që lidhen me vendin tonë.
Por pavarësisht rëndësisë që ka ky dialog, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuciq ka kohë që nuk janë takuar. Takimi i fundit në Bruksel në mes tyre u zhvillua në qershor.
Që atëherë dialogu u zhvillua më tepër në kuadër të zv/ministrit Besnik Bislimi si dhe përfaqësuesit të palës serbe, Petar Petkoviq.
Në lidhje me takimin e mundshëm të radhës në mes Kurtit dhe Vuciq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Stano tha për lajmi.net se do të shpallin çdo takim të mundshëm në mes tyre në momentin kur është e nevojshme.
Ai nuk konfirmoi për një takim të afërt në mes dyshes dhe nuk deshi të komentoj në lidhje me ndryshimet që mund të pasojnë pas fitores së Trump.
“Ne shpallim çdo takim lidhur me Dialogun kur është e nevojshme “theksoi ai.
Por Stano deklaroi se duhet urgjentisht që Kosova dhe Serbia të fillojnë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij Bashkimi Evropian po vazhdon t’i bëjë thirrje Kosovës që urgjentisht të marrë hapat e nevojshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Madje sipas Stanos ky është obligim ligjor i Kosovës dhe pritshmëritë e BE-së janë të formuluara qartë.
“Duhet urgjentisht që Kosova dhe Serbia të fillojnë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.BE-ja vazhdon t’i bëjë thirrje Kosovës që urgjentisht të ndërmarrë hapat e nevojshëm për krijimin e ASM-së, që është obligim ligjor i Kosovës dhe pritshmëri e formuluar qartë nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare”, shtoi ai.
E sipas zyrtarit të BE-së, Stano, progresi në dialogun Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian varet vetëm nga vullneti dhe aftësia e Kosovës dhe Serbisë për të arritur rezultate.
“Është i lidhur pazgjidhshmërisht me përparimin e tyre në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Stano.
Po ashtu ai potencoi se thënë me fjalë të tjera, “mos përparimi në dialog do të thotë mos-përparim edhe në rrugën drejt Bashkimi Evropian”.
Edhe pse është gati të bëhen dy vite nga marrëveshja e Ohrit, sipas BE-së zbatimi i saj ka qenë mjaftë i mangët.
Madje nga zyrtarët evropianë ishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një epokë të re evropiane, duke iu dhënë fund krizave e tensioneve si dhe duke e zbatuar atë marrëveshje.
Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut ishin pajtuar me aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por sipas BE-së zbatimi deri më tani ka qenë i kufizuar.
Saktësisht në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi. Kjo marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, ku përfshihen njohja e dokumenteve dhe simboleve dhe respektim i sovranitetit dhe tërësisë tokësore të dy vendeve. Po ashtu marrëveshja parasheh që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
E pavarësisht viteve, kërkesa e Bashkimit Evropian për Asociacionin mbetet e pandryshuar.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit, e që parashihet si një ndër pikat kryesore të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
E për këtë, nga Qeveria e Kosovës kanë këmbëngulur se marrëveshja e arritur në Ohër duhet nënshkruar, por që Serbia e kishte refuzuar këtë.
E sipas BE-së kërkesat janë të qarta edhe ndaj Serbisë. Ajo duhet të përmbushë pikat e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës. Serbia, në një letër që dërgoi në BE, ka thënë se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës. Për këtë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se pret “vetëm lajme të këqija për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në bisedimet me Kosovën”.
Në kuadër të zhvillimeve Kosovë-Serbi, BE-ja pati vendosur edhe masa ndaj shtetit tonë, të cilat s’janë larguar as sot. Këto masa janë komentuar nga krerët e Kosovës e kanë vazhduar të shihen si të panevojshme./Lajmi.net/