Gjykata në Romë sërish merr vendim kundër ndalimit të emigrantëve në Shqipëri

Gjykatësit në Romë kanë refuzuar që të miratojnë ndalimin e një grupi emigrantësh në qendrat në Shqipëri, që operohen nga Italia, duke e dërguar këtë çështje te Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra të pritjes, teksa…

Lajme

11/11/2024 18:33

Gjykatësit në Romë kanë refuzuar që të miratojnë ndalimin e një grupi emigrantësh në qendrat në Shqipëri, që operohen nga Italia, duke e dërguar këtë çështje te Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra të pritjes, teksa shtatë burrat që janë të përfshirë në këtë rast pritet të transferohen së shpejti në Itali, raportoi AFP.

Kjo është hera e dytë që gjykata në Romë merr vendim kundër planit të Melonit. Më 18 tetor, gjykatësit kishin refuzuar urdhrat që një grup emigrantësh të mbahej në një qendër të pritjes në Shqipëri, duke thënë se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.

Aktualisht, vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – ndodhen në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Emigranti i fundit që u kthye në Itali më 9 nëntor ishte një person nga Egjipti, që u diagnostikua me “probleme psikikike” dhe prandaj u tha se ishte e pamundur që të mbahej në qendrën në Gjadër.

Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.

Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.

Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.

Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.

Kryeministrja Meloni e ka përditësuar statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.

Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.

Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma. REL