E arrestuara dje për dallaveret me patentë shofer është kryetarja e degës së AAK-së në Kaçanik
Një aksion i realizuar së fundi nga Policia e Kosovës çoi në arrestimin e pronares së një autoshkolle në Kaçanik, nën dyshimin për ryshfet dhe falsifikim të dokumenteve. Por e arrestuara në këtë rast raportohet se është kryetarja e degës së AAK-së, në komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahu. Përpos pozitës që mban si kryetare e…
Lajme
Një aksion i realizuar së fundi nga Policia e Kosovës çoi në arrestimin e pronares së një autoshkolle në Kaçanik, nën dyshimin për ryshfet dhe falsifikim të dokumenteve.
Por e arrestuara në këtë rast raportohet se është kryetarja e degës së AAK-së, në komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahu.
Përpos pozitës që mban si kryetare e degës së AAK-së, Hafize Sallahu mbanë dhe pozitën e Drejtoreshës për Kulturë në këtë komunë.
Në bazë të njoftimit të dhënë nga Policia theksohet se ajo u arrestua bashkë me një të dyshuar tjetër E.S.
Që të dy me qëllim të përfitimit pasuror, dyshohet se kanë pranuar ryshfet me shuma të ndryshëm nga kandidatët, në këmbim të marrjes së patentë-shoferëve për kategorinë “B” dhe “C”, pa iu nënshtruar testeve përkatëse, si dhe pa bërë kontrollet mjekësore, transmeton lajmi.net.
“Në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, janë kontrolluar-bastisur dy zyrat, në lokacionet e sipër cekura, ku janë siguruar dhe sekuestruar disa dëshmi- prova materiale: dy telefonë mobil; regjistratorë-Libra- gjithsej pesë (5); fletore regjistrimi; fletore interne dhe gjepi–gjithsej shtatë (7); gjashtëdhjetë e katër (64) dosje origjinale të kandidatëve; dhe njëzet e një (21) Certifikata mjekësore-të shoferëve profesional-për punë“, u tha në komunikatën e Policisë.
E i arrestuari tjetër në këtë rast, E.S raportohet se është hiç më larg se djali i Sallahut.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Drejtoresha e AAK-së për Kulturë në Kaçanik, Hafize Sallahu bashkë me E.S. janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve”.
Në lidhje me këtë arrestim dje pati edhe reagime të shumta nga zyrtarët politik në vend./Lajmi.net/