KE vlerëson përparimin e Kosovës dhe e inkurajon t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë

Komisioni Evropian publikoi të mërkurën raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Në dokumentin për Kosovën thuhet se autoritetet e vendit mbeten të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian. Derisa kujton se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i…

Lajme

30/10/2024 15:57

Komisioni Evropian publikoi të mërkurën raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

Në dokumentin për Kosovën thuhet se autoritetet e vendit mbeten të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian.

Derisa kujton se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli.

Aty kujtohet se mbajtësit e pasaportave biometrike në Kosovë gëzojnë regjimin e udhëtimit pa viza drejt BE-së, që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa nga tetori, të njëjtën të drejtë e kanë edhe poseduesit e pasaportave të Serbisë, që ua lëshon Drejtoria Koordinuese Serbe.

Raporti thekson se tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar si pasojë e sulmit të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës nga sulmues të armatosur serbë, më 24 shtator të vitit 2023.

Sulmin në Banjskë, Raporti i Progresit e cilëson si “përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit”.

“Kriza të tjera u shkaktuan nga çështje që lidhen me shpronësimin e tokave nga Qeveria në veri; nga miratimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore për transaksionet me para të gatshme, që ndikoi negativisht të serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë; nga operacionet policore për mbylljen e zyrave të institucioneve të drejtuara nga Beogradi, që ofronin ndihmë për komunitetet joshumicë; dhe nga ndalimi i vazhdueshëm i importit të mallrave me origjinë serbe”, thuhet mes tjerash në raport.

Këto çështje i dëmtuan edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb të vendit, sipas raportit.

Aty theksohet se edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur e tensionuar, edhe pse ka pasur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Arritjet e dukshme përfshijnë marrëveshjet historike të dakorduara në shkurt dhe mars, 2023 [për normalizimin e marrëdhënieve], hapat përgatitorë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, avancimet në sektorin e energjisë dhe zotimet për adresimin e çështjes së personave të pagjetur”, thuhet në raport.

“Kosova është zotuar se do t’i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit [të Marrëdhënieve me Serbinë] dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thekson raporti.

Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa mjedisi i biznesit në vend është përmirësuar, po ashtu.

Në këtë dokument, Kosova inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Aty thuhet, po ashtu, se Qeveria duhet të punojë për të krijuar mbështetje politike ndërpartiake për t’i ndjekur në mënyrë më efektive reformat që lidhen me BE-në.

“Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e saj dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”, thekson po ashtu Raporti i Progresit.

Kërkesë të ngjashme, Komisioni Evropian bën edhe në Raportin e Progresit për Serbinë.

“Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët dhe të gjitha formalitetet, përfshirë miratimin apo ‘formalizimin’ e saj, nuk duhet ta pengojnë progresin në zbatimin e saj”, theksohet në Raportin e Progresit për Serbinë.

Të dyja vendet porositen se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht thelbësor në rrugën e tyre evropiane dhe se të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit në këtë drejtim.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, shumë prej tyre nuk zbatohen në praktikë.

Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë angazhimi.