KEK: Testi me shkrim për 220 pozita të Manipuluesve s’është i njëjtë me një që u publikua dje
KEK ka njoftuar se testi me shkrim për 220 pozita të manipuluesve është mbajtur dje dhe ka thënë se pyetjet nuk kanë qenë nga testi që u publikua dje. “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjithashtu dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me publikimin e një liste me 20 pyetje/përgjigje, që kanë tendencë të zbehin suksesin e…
Lajme
KEK ka njoftuar se testi me shkrim për 220 pozita të manipuluesve është mbajtur dje dhe ka thënë se pyetjet nuk kanë qenë nga testi që u publikua dje.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjithashtu dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me publikimin e një liste me 20 pyetje/përgjigje, që kanë tendencë të zbehin suksesin e procesit të rekrutimit. KEK siguron gjithë opinionin se testi origjinal me shkrim, i cili zhvillohet në formë elektronike dhe shfaq një pyetje në çdo kohë, përmban gjithsej 31 pyetje, secila me nga 4 përgjigje, ku vetëm njëra është e saktë. Prandaj, ky test nuk është ai që është publikuar dje.”
KEK thotë se testi është zhvilluar nën monitorimin e kamerave.
“Në këtë testim, i cili filloi në orën 9:00 dhe përfundoi në orën 18:50, nga 554 kandidate të ftuar, 517 i janë nënshtruar testit, 37 nuk janë paraqitur dhe një kandidat është përjashtuar për mosrespektim të rregullave të testimit. Procesi u zhvillua nën monitorimin e kamerave, në mënyrë elektronike, ku çdo kandidat kishte mundësinë të shihte rezultatin e arritshmërisë (pikët) në mënyrë automatike pas përfundimit të testit.”
“KEK falënderon anëtarët e komisionit, Burimet Njerëzore dhe stafin e Qendrës së Trajnimit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e suksesshëm të kësaj faze të testimit. Procedura e rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera bazuar në rregulloret e brendshme dhe ligjet në fuqi.”