Shoqata e Prokurorëve i reagon deputetit Muja: Dënojmë çdo përpjekje për të njollosur integritetin e institucionit të prokurorisë

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës  ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Armend Muja, të cilat përmbajnë pretendime të pabazuara mbi punën e Prokurorisë së Shtetit. Shoqata dënon çdo përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në publik dhe për të njollosur integritetin e institucionit të prokurorisë, veçanërisht kur këto pretendime nuk mbështeten në…

Lajme

22/10/2024 20:13

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës  ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Armend Muja, të cilat përmbajnë pretendime të pabazuara mbi punën e Prokurorisë së Shtetit. Shoqata dënon çdo përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në publik dhe për të njollosur integritetin e institucionit të prokurorisë, veçanërisht kur këto pretendime nuk mbështeten në fakte apo prova konkrete.

Prokuroria e Shtetit vepron gjithmonë në përputhje me parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë, duke u mbështetur vetëm në prova dhe në zbatimin e rreptë të ligjit. Proceset hetimore nuk mund të ndikohen nga presione politike apo deklarata të papërgjegjshme. Për çështjet e ndjeshme, siç janë ato të përmendura në postimin e deputetit Muja, ne theksojmë se çdo vendim merret në përputhje me ligjet dhe dispozitat në fuqi, dhe jo përmes spekulimeve të pabazuara.

Shoqata e Prokurorëve fton të gjithë akteret publikë, përfshirë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre dhe të kontribuojnë për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, në vend që të përhapin informacione që mund të krijojnë huti dhe mosbesim.