Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist që do të fillojë një dinamikë e re në dialogun me Serbinë, pas konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga BE-ja, ku sipas tij kjo dëshmon zmbrapsje nga Marrëveshja Bazë e Brukselit…

Lajme

15/10/2024 11:02

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist që do të fillojë një dinamikë e re në dialogun me Serbinë, pas konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian.

Ai nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga BE-ja, ku sipas tij kjo dëshmon zmbrapsje nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Përkitazi me këtë, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Kurti në një adresim për media pas samitit të Procesit të Berlinit, foli edhe për vendimin që unilateralisht të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë Hercegovinën si dhe kërkesat që i ka paraqitur në takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohen kryekrimineli Milan Radoiçiq që na vrau rreshterin, heroin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij që tashmë ndodhën në aktakuzën 160 faqesh të Prokurorisë. Ne kërkojmë që letra e ish kryeministres Bërnabiq të tërhiqet, pasi me atë letër që i është dërguar 27 vendeve të BE-së ajo është tërhequr nga marrëveshja. Njëkohësisht ajo çka jemi marrë vesh, marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, pasi nënshkrimi është garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit ndërmjet palëve. Sa herë flasim për dialog unë insistoj të përmend faktin se kemi marrëveshje bazike dhe se dialogu ka pasur sukses. Por neve na duhet të respektojmë dhe zbatojmë marrëveshjen”, tha ai.

Ai shtoi se në takim me kancelarin gjerman ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta. T’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë që të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje që me shumë përgjegjësi, durim dhe disiplinë do t’i përgjigjemi atyre pyetjeve. As nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Duke folur heqjen e vizave për Bosnjën në mënyrë unilaterale prej 1 janarit 2025, Kurti e arsyetoi këtë vendim, derisa tha se shteti boshnjak për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

“Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm. Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor… Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha Kurti.

Ndërkaq e përmendi edhe nevojën që avionët që nisen ose aterojnë nga aeroporti “Adem Jashari” në Kosovë të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë, pasi e njëjta vazhdon të jetë e mbyllur tash e 25 vjet.

“Kemi bërë kërkesa konkrete, siç është ajo kur avionët aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet që nga intervenimi i NATO-s. Kjo shkakton kosto për kompanitë, kosto për udhëtarët dhe ndotje të ambientit. Kemi pasur kërkesa të tilla që i kemi thënë në këto takime”, përfundoi Kurti.