Kosova nga tani do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e vet, ambasadori gjerman jep detaje

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet nga tani në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA). Kosova është përfaqësuar në CEFTA përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj. “Lajm…

Lajme

09/10/2024 15:33

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet nga tani në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA).

Kosova është përfaqësuar në CEFTA përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

“Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u”, shkroi Rohde në X.

Ai tha se ky është “hap i madh” drejt përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në këtë organ rajonal.
Ky ndryshim, të cilin Kosova ka kohë që e kërkon, erdhi një ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta heqë ndalesën ndaj importit të mallrave serbe në pikëkalimi në Merdare.

Kosova u përball me trysni në javët e fundit për ta hequr ndalesën ndaj mallrave serbe, posaçërisht nga Gjermania.

Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.