Ish-ministrja e qeverisë së Kosovës intervistohet nga Departamenti i Krimeve Ekonomike

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është intervistuar të enjten nga Departamenti i Krimeve Ekonomike ish-ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq. Hetimet ndërlidhen me pretendimet për punësime të paligjshme gjatë periudhës së qeverisjes lokale të komunës së Mitrovicës Veriore, në kohën kur Hoxhiq ishte nënkryetare e kësaj Komune deri në maj të…

Lajme

03/10/2024 16:09

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është intervistuar të enjten nga Departamenti i Krimeve Ekonomike ish-ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq.

Hetimet ndërlidhen me pretendimet për punësime të paligjshme gjatë periudhës së qeverisjes lokale të komunës së Mitrovicës Veriore, në kohën kur Hoxhiq ishte nënkryetare e kësaj Komune deri në maj të vitit 2022.

Avokati i saj, Musa Damati ka konfirmuar, se klientja e tij është liruar menjëherë pas intervistimit.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë provë e vetme që do ta vërtetonte përfshirjen e klientes së tij në veprën penale që ndërlidhet me keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ai tha se klientja e tij është tërësisht e pafajshme dhe se i gjithë ky hetim ka të bëjë vetëm me spektakël politik, ndërsa potencoi faktin se zonja Hoxhiq është cak i sulmeve politike tash e një kohë të gjatë.

“Nuk ekziston asnjë provë e vetme përmes së cilës mund të formulohen eventualisht veprime të cilat do ta krijonin figurën e posaçme të veprës penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Klientja ime është tërësisht e pafajshme, dhe njëkohësisht ajo është cak dhe shënjestër e sulmeve politike tash e një kohë të gjatë. I gjithë ky hetim ka të bëjë me spektakël politik dhe ne do të arrijmë të vërtetojmë pafajësinë e klientes time shumë shpejt”, ka thënë për Damati.

Burimet e KosovaPress-it brenda policisë, bëjnë të ditur se hetimet janë komplekse dhe kanë filluar rreth dy vjet më parë ndaj disa ish zyrtarëve komunalë të Mitrovicës Veriore, një numër i të cilëve është intervistuar sot nga Departamenti i krimeve ekonomike , ndërsa intervistimi ndaj ish zyrtarëve tjerë do të vazhdojë edhe nesër.

Ndryshe, politikanja kosovare me përkatësi etnike boshnjake, njihet për angazhimin dhe kontributin e saj në krijimin e urave të komunikimit dhe mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, sidomos në Mitrovicë, gjatë viteve të ‘nxehta’ dhe me përplot tensione në periudhën e pasluftës.