Ndërtimi i ngadalshëm i rrugës Junik-Gjeravicë, ka nisur në 2018-tën

Ndërtimi i rrugës Junik-Gjeravicë, ka nisur në verën e vitit 2018-të, por edhe sot e kësaj dite punimet nuk kanë përfunduar. Sipas kryetarit të Junikut Ruzhdi Shehu, pas asfaltimin të segmentit Gjocaj-Livadhi i madh dhe segmetit tjetër pasues, së fundmi është shtuar intensiteti dhe dinamika e kryerjes së punimeve. “Këtu ku jemi sot e deri…

Lajme

29/09/2024 23:50

Ndërtimi i rrugës Junik-Gjeravicë, ka nisur në verën e vitit 2018-të, por edhe sot e kësaj dite punimet nuk kanë përfunduar.

Sipas kryetarit të Junikut Ruzhdi Shehu, pas asfaltimin të segmentit Gjocaj-Livadhi i madh dhe segmetit tjetër pasues, së fundmi është shtuar intensiteti dhe dinamika e kryerjes së punimeve.

“Këtu ku jemi sot e deri te “Kërshi i Jedovës” janë 12-13 kilometra të hapura e të ndërtuara e tash po punohet që deri te “Lugu i gatë” të hapet me intensitet të shtuar dhe po shpresojmë që edhe nëse kushtet atmosferike lejojnë kjo deri në “Gropën e Erenikut” të hapet dhe të shtrohet. Qeveria na ka mbështetur me këtë projekt, pas e kemi pas qeverinë , ministrinë e infrastrukturës gjegjësisht, kështu që nuk kemi pasur problem me mjete buxhetore. Unë shpresoj shumë që edhe kompania t’i rrisë  kapacitetet e veta dhe ne me angazhimin tonë ta mbështesim në cdo hap në mënyrë që kjo rrugë të përfundoi këtë vit, të paktën hapja dhe zgjerimi i saj deri në Gropën e Erenikut””, tha Shehu.

E ndërkaq qytetarët Junikut thonë se vonesat në përfundimin e këtij projekti janë shumë të mëdha, sepse siç shprehen ata kjo rrugë ka rëndësi shumë të madhe për jetën dhe mirëqenien e tyre.

“Asfaltimi i rrugës deri në Gjeravicë hapë shumë rrugë,  biznese, hapë ndërtime, është një gjë që populli përfiton nga kjo rrugë, përfiton edhe me hapjen e lokaleve, bizneseve edhe është shumë e mirëseardhur me ndodhë ajo. Po me nelizhencën e punimeve të komunës së Juniku kjo ka mbetë deri më tani në gjysmë”, tha qytetari Demë Gjoci.

“Realisht kjo rrugë që ka filluar vite më parë është gjëja më e mirë që ka mujt me i ndodhë komunës së Junikut duke pas parasysh resurset që i kanë bjeshkët tona, bjeshka e Junikut, mirëpo këto punime kanë shkuar në mënyrë shumë të ngadaltë sa që janë 5-6 vite që ka fillu kjo rrugë dhe kurrë nuk e ka plan me u kry. Nuk besoj që me këtë dinamikë që mundet me shku deri në bjeshkë qysh është planifiku në Gropë të Erenikut apo deri ku është e paraparë”, u shpreh Burim Kuçi.

Rruga Junik-Gjeravicë 22 km e gjatë, buxhetit të Qeverisë do t’i kushtojë mbi  9 milion €, ndërsa ndërtimi i saj paraqet projektin më të rëndësishëm të Komunës së Junikut dhe zhvillimit ekonomik të saj.