Kurti i quan produktive takimet me O’Brien, Kasanof, Lajçakun e Plenkovićin

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar dje në New York, në ditën e tretë të vizitës atje. Postimin e ka nisur me takimin që pati me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak,…

Lajme

28/09/2024 10:48

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar dje në New York, në ditën e tretë të vizitës atje.

Postimin e ka nisur me takimin që pati me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, me të cilët ka thënë se ka pasur biseda produktive.

“Diskutuam për dialogun si dhe bashkëpunimin rajonal përpara 10 vjetorit të procesit të Berlinit. Gjatë bisedës sonë, theksova nevojën e nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj si mjet i domosdoshëm për progres. Rikonfirmova gjithashtu përkushtimin e vendit tonë për bashkëpunim, prosperitet të rajonit, të drejta të barabarta dhe mbrojtje të fuqishme të të drejtave të njeriut dhe një shoqëri shumëetnike të lulëzuar”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në platformën “X”.

Për takimin lëshoi njoftim edhe Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës.

Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në njoftim.

Kurti është takuar dje edhe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, Kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchell, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.