Osmani: Dërgim është vetëm nëse dërgojmë forca në një shtet tjetër, e jo në veri- Njësitë Speciale mund të jenë në çdo cep të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo cep të Kosovës, në çdo kohë. Ajo theksoi se këtu përfshihet edhe veriu i vendit, e se këtë Policia e ka detyrim kushtetues dhe ligjor. Duke u pyetur për praninë e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës në…

Lajme

27/09/2024 10:08

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo cep të Kosovës, në çdo kohë.

Ajo theksoi se këtu përfshihet edhe veriu i vendit, e se këtë Policia e ka detyrim kushtetues dhe ligjor.

Duke u pyetur për praninë e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës në veri, Osmani tha se nuk mund të qohet “Dërgim”, pasi që ky term përdoret nëse këto forca policore dërgohen në një shtet tjetër.

“Veprimet jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime. Kanë legjitimitet të plotë sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit. Mirëpo, siç e thatë edhe ju, dhe e kam përsëritur në çdo deklarim publik dhe në takimet me institucionet tona në çdo rast përgjatë kësaj historie 25 vjeçare, por në veçanti në 16 vitet tona si shtet i pavarur, në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë. Nuk është që populli i Kosovës nuk ka pasur vullnet ta shpallë pavarësinë edhe më herët mirëpo, sikur ta bënim në mënyrë më të pakoordinuar atëherë Kosova as nuk do të njihej”,tha Osmani.

Ajo shtoi se fakti që e kemi bërë në koordinim të plotë me shtetet tona aleate na ka sjellë më shumë njohje, na ka sjellë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetje ekonomike, prosperitet për qytetarët tanë dhe hapa tutje drejt integrimit euro-atlantik.

“Edhe tani natyrisht që sovraniteti duhet të shtrihet në çdo cep të Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim, por sa më shumë që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë me aleatët tonë aq më shumë ky sovranitet do të jetë i qëndrueshëm, afatgjatë dhe rrjedhimisht edhe më i suksesshëm për shtetin tonë dhe do të hap më shumë rrugë pastaj për Kosovën që ky sovranitet të mos jetë vetëm i brendshëm, por të reflektohet edhe në politikën tonë të jashtme, pra nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë ku vendi ynë e ka vendin dhe e meriton të jetë”,tha presidentja Osmani.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, a mjafton të thuhet se po ndodh shtrirja e sovranitetit në veri me dërgimin e forcave të posaçme të policisë për sa kohë që nuk ka një integrim të qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën atje?

Vjosa Osmani: Unë nuk do ta quaja dërgim sepse dërgim mund të thuhet vetëm nëse ne dërgojmë forca në një shtet tjetër. Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo kohë dhe në çdo cep të territorit të Kosovës, e ka detyrim kushtetues dhe ligjor, e ka këtë mandat që të jetë prezente kudo. Pra, ne nuk dërgojmë polici, policia është atje sepse e ka detyrë të jetë në çdo cep të Kosovës. Është sikur të themi Shtëpia e Bardhë dërgoi forca policore në Nju Jork, natyrisht se nuk i dërgon sepse NYPD (Departamenti i Policisë së Nju Jorkut) është këtu, rrjedhimisht edhe policia e Kosovës është aty ku e ka mandat që të jetë, ku e ka detyrë që të jetë dhe është aty mbi të gjitha për të mbrojtur qytetarët, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në veri, për t’i mbrojtur nga bandat serbe, bandat kriminale që udhëhiqen nga kriminelë që janë në listën e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve tjera, nga banda kriminale të cilat kanë vrarë edhe serbë, të cilat djegin shtëpitë dhe makinat e serbëve. Në fakt, sa më shumë që të ketë siguri, aq më të lirshëm janë qytetarët serbë që jetojnë në veri të vendit tonë që pastaj lirshëm ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik, të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe po ashtu që të përfitojnë nga të drejtat që Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj ua japin atyre, si kushtetuta më progresive në gjithë kontinentin evropian sa i përket të drejtave të pakicave. Megjithatë unë mendoj që akoma ne mund të bëjmë edhe më shumë që komunikimi ynë me komunitetin serb që jeton në Kosovë të jetë më i mirë, që të ketë edhe më shumë zhvillim ekonomik, që krijon vende të reja të punës, të ketë më shumë prosperitet, sepse sa më shumë që ka zhvillim ekonomik aq më shumë edhe integrimi është i mundshëm. Por, nuk mund të ndodh integrimi duke i ndarë komunitetet, duke mos i lënë që të bashkëpunojnë, duke mos i lënë që të flasin me njëri-tjetrin. Pra, sa më shumë që ka bashkëpunim, sa më shumë që ka qasje te njëri-tjetri, sa më shumë që krijohen vende të punës ku edhe shqiptarët edhe serbët edhe turqit dhe të tjerët punojnë në një vend, aq më i lehtë është integrimi dhe aq më shumë të gjithë do ta kuptojnë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është projekt i përhershëm, projekt që do të mbetet aty përgjithmonë dhe nuk është diçka që vetëm do zgjasë disa vite dhe pastaj zhduket. Pra është shtëpia e përhershme e të gjithë qytetarëve të Kosovës./Lajmi.net/