Policia e Kosovës mohon se janë ndaluar trajnimet për Njësinë Speciale nga SHBA për shkak të sanksioneve ndaj Kosovës
Në media është raportuar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk do të jenë më pjesë e trajnimeve nga SHBA-të për shkak të sanksioneve ndaj Kosovës. Policia e Kosovës përmes një komunikate për media sot ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se Policia e Kosovës vazhdon të trajnohet nga SHBA-të. “Në kuadër…
Lajme
Në media është raportuar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk do të jenë më pjesë e trajnimeve nga SHBA-të për shkak të sanksioneve ndaj Kosovës.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media sot ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se Policia e Kosovës vazhdon të trajnohet nga SHBA-të.
“Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej. Një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjatë periudhës kohore të viteve 2022-2023-2024, e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së.”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, trajnimet e ofruara nga SHBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, e që sipas tyre në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga SHBA-ja për këto njësi, shkruan lajmi.net.
“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA. Policia e Kosovës, vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë. Po ashtu PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në. PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/