Kurti: Sulmi në Banjskë agresion kundër sovranitetit shtetëror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte përgatitur për një konflikt më të gjerë dhe më të gjatë. Këto deklarata Kurti i ka bërë pasi ka zbuluar tabelën që shënon emërtimin e një rruge me emrin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku i cili…

Lajme

24/09/2024 16:05

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte përgatitur për një konflikt më të gjerë dhe më të gjatë.

Këto deklarata Kurti i ka bërë pasi ka zbuluar tabelën që shënon emërtimin e një rruge me emrin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra në Banjskë.

Kurti: Ka qenë agresion kundër sovranitetit shtetëror

“Nga konfiskimet e armatimit dhe municionit që ka bërë Policia e Kosovës në Zveçan e jo vetëm del se 105 lloje të armëve janë konfiskuar dhe mbi 80 mijë municion. Kjo tregon se Banjska e 24 shtatorit të vitit 2023 ka qenë një plan për ta sulmuar Kosovën, ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, kundër integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe pikërisht për këtë arsye me qenë se këtë ne nuk e harrojmë asnjëherë, sot në këtë vend zbuluam tabelën e cila shënon emërtimin e ri të kësaj rruge pra Afrim Bunjaku sipas vendimit të mbrëmshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri poashtu shtoi se Policia e Kosovës është multietnike dhe u shërben gjithë qytetarëve, derisa për kriminelët ka kërkuar të përballen me drejtësinë.

Kurti: Përgjegjëse është Serbia andaj duhet të mbaj përgjegjësi

Policia e Kosovës është polici multietnike, ajo u shërben gjithë qytetarëve por kriminelët e llojit të Radojiçiqit, Veselinoviçit e të ngjashmëve nuk mund të fitojnë, nuk mund të jenë të lirë në Kosovën demokratike, të pavarur dhe evropiane. Ata fitojnë tendera, ata sillen lirë në Serbinë autokratike pro-ruse. Përgjegjëse është Serbia andaj duhet të mbaj përgjegjësi dhe për këtë ne kërkojmë ndihmën e faktorëve evropian dhe amerikan, të perëndimit demokratik sepse Milan Radojiçiq dhe kriminelët e tjerë duhet t’i dorëzohen Policisë së Kosovës, autoriteteve të Kosovës dhe të përballen me drejtësinë. Pra plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte të aneksohet një pjesë e territorit. Dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme lavdi Afrim Bunjakut dhe gjithë dëshmorëve të Kosovës”, shtoi Kurti duke falënderuar edhe Policinë e Kosovës”, shtoi Kurti.

Kurti poashtu tha se në Kosovë policia dhe organet e sigurisë veprojnë në çdo cep dhe garantojnë ligjshmëri dhe rend publik për të gjithë.

Kurti: Policia dhe organet e tjera të shtetit garantojnë ligjshmëri dhe rend publik

“Në Kosovë tash që po flasim nuk ka burime të brendshme që mund ta cenojnë sigurinë apo mund ta destabilizojnë vendin. Policia e Kosovës, organet tona të sigurisë në përgjithësi, institucionet e shtetit veprojnë tërë kohën në çdo cep dhe të gjithë qytetarët pa dallim etnie feje prejardhje janë të mbrojtur nga policia dhe organet e tjera të shtetit tonë që garantojnë ligjshmëri dhe rend publik për të gjithë”.

Së bashku me Kurtin u deklaruan edhe dy policët që ishin së bashku me rreshterin Bunjaku në ditën e vrasjes së tij.

Polici Mirsad Kryeziu ka përshkruar 24 shtatorin e vitit 2023 duke thënë se terroristën nuk kanë arritur që ti zbatojnë planet e veta.

Ai shtoi se policia është e përgatitur për çdo sfidë me të cilën mund të ballafaqohen.

Kryeziu: Policia e Kosovës është e përgatitur për çdo sfidë

Sot bëhet një vit prej rënies se afrimit në këtë vend ne ishim pjesë e sulmit që është bërë ndaj shtetit tonë dhe arritëm që në mënyrën më të mirë të mundshme t’i zmbrapsim terroristët dhe të dalim fitimtar. Kemi arrit t’i bëjmë gjitha lëvizjet tona që Afrimi të mos mbetet këtu. Normalisht është plagos edhe kolegu Albani gjatë kësaj ofenzive mirëpo ata nuk kanë arrit asnjëherë ti zbatojnë dhe kontrollojnë planet e veta që i kanë pasur kundër neve. Policia e Kosovës është e përgatitur për çdo sfidë që ne mund të ballafaqohemi dhe ajo kohë kur ne e kemi pa se janë kamionët atje e kemi ditë se diçka nuk është ka funksionon dhe e kemi paraqit rastin te dhoma komanduese dhe janë kryer mandej veprimet tona të mëtutjeshme.

Derisa polici i cili ishte plagosur po atë ditë Alban Rashiti shtoi se kjo është puna e tyre dhe se përkundër kthimit të kujtimeve gjithçka vazhdon.

Rashiti: Gjithçka vazhdon kjo është puna jonë

“Sot është bërë 1 vit prej rastit që e kem pas, ku edhe ra heroikisht kolegu jon. Siç e përshkruajti kolegu ka qenë mbrëmje normale, e kemi pa që është diçka e parregullt në bllokim të kamionëve aty kanë fillu sulmet… janë përkujtimet që kthejnë në kohë por gjithçka vazhdon kjo është puna jonë. Është kthyer në krenari”, shtoi ai.

Në shënimin e një vjetorit të rënies së heroit, policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e punëve të brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.

Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.

Të pranishëm ishin edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ambasadori i Amerikës në Prishtinë, Jeffery Hovenier, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, djali i Bunjakut dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Homazhe dhe vizita në familje zhvilluan edhe përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike.