Kurti flet për qëndrimin në Itali, jep detaje për vizitat atje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vizitës në Bruksel ka udhëtuar drejt Venecias së Italisë. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar për vizitat që i ka realizuar aty. Kurti ka shkruar se kanë vizituamr Pavijonin Kombëtar të Kosovës, Bienalen e Venecias dhe Pallatin Dukal, si dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit…

Lajme

23/09/2024 20:57

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vizitës në Bruksel ka udhëtuar drejt Venecias së Italisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar për vizitat që i ka realizuar aty.

Kurti ka shkruar se kanë vizituamr Pavijonin Kombëtar të Kosovës, Bienalen e Venecias dhe Pallatin Dukal, si dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Programit Evropian të Masterit në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA).

“Në bashkëbisedimin me mërgatën, folëm mbi zhvillimet e më shumë se tre vite e gjysmë të mandatit tonë qeverisës, progresit që ka njohur shteti dhe sinergjia në bashkëpunimin me diasporën që sa vjen e rritet. Kontributi i diasporës për vendin tonë mbetet madhor përmes investimeve të tyre në Kosovë por edhe punës në programe të ndryshme të përbashkëta si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera”, ka shkruar Kurti. 
Postimi i tij i plotë:
Pas takimeve dhe drekës së ftuar nga Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Brukseli udhëtuam drejt Venecias ku u takuam me diasporën tonë, vizituam Pavijonin Kombëtar të Kosovës, Bienalen e Venecias dhe Pallatin Dukal, si dhe mora pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Programit Evropian të Masterit në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA).
Në bashkëbisedimin me mërgatën, folëm mbi zhvillimet e më shumë se tre vite e gjysmë të mandatit tonë qeverisës, progresit që ka njohur shteti dhe sinergjia në bashkëpunimin me diasporën që sa vjen e rritet.
Kontributi i diasporës për vendin tonë mbetet madhor përmes investimeve të tyre në Kosovë por edhe punës në programe të ndryshme të përbashkëta si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.
Bashkë edhe me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, vizituam edhe Pallatin Dukal, i cili përveç hijeshisë dhe madhështisë së tij të gjithmbarshme nën stilin Gotik, shfaqte edhe ekspozitën mbi jetën e Marco Polo, eksploruesit dhe tregtarit venecian të shekullit të XIII-të, në shënim të 700-vjetorit të vdekjes së tij. Ekspozita pasqyron larminë shumëdimensionale të veprimtarisë së tij e marrëdhëniet mes kulturave të ndryshme anembanë botës.
Vetëm 800 metra më larg e 12 minuta në këmbë, gjendet Pavijoni i Kosovës, i cili u vlerësua me Mirënjohje të Veçantë në Ceremoninë e Çmimeve të Edicionit të 60-të të Ekspozitës së Artit. “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” nga artistja Doruntinë Kastrati, me kurator Erëmirë Krasniqin dhe komisionere Hana Halilaj, është bërë pjesë e jetës vibrante artistike dhe hapësirë që duhet përjetuar e nuk duhet humbur nga vizitorët e turistët nga e gjithë bota. Nga Pavijoni vazhduam drejt “Giardini della Biennale”, në ekspozitën qendrore të Adriano Pedrosa me të titullin “Të Huaj Kudo – Stranieri Ovunque”, që shqyrton ndjesinë e përkatësisë në një botë të globalizuar. Ajo vendos theks në multikulturalizmin dhe përvojat e përjetimit si qytetarë të botës.
Qëndrimin atje, e përmbyllëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Programit Evropian të Masterit në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA), e ku në adresimin para tyre shpreha se fundi i këtij rrugëtimi akademik për ta përfshin dy momente historike: 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut; dhe herën e 20-të që studentët e programit EMA vizituan Kosovën për të mësuar më shumë mbi vendin tonë që nga çlirimi në vitin 1999.