Nënshkruhen marrëveshjet, kaq kompani janë përfituese të granteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka organizuar nënshkrimin e marrëveshjeve të grant-skemës për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, në vlerë prej 4.4 milionë eurosh. Ndërsa nga kjo skemë kanë përfituar 167 biznese. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se me politikat…

Lajme

17/09/2024 17:22

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka organizuar nënshkrimin e marrëveshjeve të grant-skemës për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese, në vlerë prej 4.4 milionë eurosh.

Ndërsa nga kjo skemë kanë përfituar 167 biznese.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se me politikat që kanë ndërmarrë po e rrisin ekonominë e vendit dhe në këtë drejtim po mbështesin qytetarët, dhe ndërmarrësit e industrisë prodhuese.

“Me përkrahjen financiare prej mbi 4.4 milionë euro po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Ato do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, modernizohen, dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm edhe të ekonomisë tonë të gjithmëmbarshme vendore por edhe të rritjes së bizneseve individuale. Me vizionin tonë për qeverisje të mirë e demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes, mbetën prioritete të pandryshuara… Politikat tona zhvillimore po e rrisin ekonominë e vendit dhe po mbështesim si asnjëherë më parë edhe qytetarët, edhe ndërmarrësit e industrisë prodhuese”, tha Kurti.

Në anën tjetër ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se me këtë synojnë qe të ndihmojnë bizneset.

“Kjo mbështetje synon që të ndihmoj bizneset tona të zhvillohen dhe rrisin konkurueshmerinë duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë. Zhvillimi industrial është thelbësore për shoqërinë dhe vendin tonë, për një Kosovë të zhvilluar, për një Kosovë të qëndrueshme e mirë të integruara, me një shoqëri të shëndoshë demokratike dhe shumë moderne… Për herë të parë në Kosovë kemi arritur vlerën e kësaj grant skeme në 4.4 milion euro, për blerjen e makinerive për ndërmarrje mikro të vogla dhe të mese, ku kjo grant skemë e njëjtë ishte në vlerën e vetëm e 500 mijë euro ne vitin 2021 në mandatin tonë dhe tani e kemi rritur për gjithsej për 3.9 milion euro më shumë… Ne jemi të vetëdijshme që forcimi i ekonomisë bëhet përmes rritjes dhe zhvillimit të bizneseve me ju ndërmarrës të vyer. Andaj mbështetja për ju dhe të tjerët ndërmarrës do të rritet edhe më shumë me skemat e ardhshme”, ka thënë ajo.