Kurti: 25 vite më parë, populli i Kosovës po përjetonte ditët e para të çlirimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje-qasje multidisiplinare”. Kurti në fjalën e tij të rastit tha se para 25 viteve më parë populli i Kosovës po përjetonte ditët e fundit të luftës. “25 vite…

Lajme

10/06/2024 09:52

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje-qasje multidisiplinare”.

Kurti në fjalën e tij të rastit tha se para 25 viteve më parë populli i Kosovës po përjetonte ditët e fundit të luftës.

“25 vite më parë në mes të muajit qershor 1999 populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës, dhe ditët e para të çlirimit. Sikur sot, një çerek shekulli më parë, në 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi ish-Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimesh”, tha Kurti.

Ai gjithashtu përmendi edhe miratimin e Rezolutës 1244 në New-York, rezolutë kjo që urdhëronte vendosjen e një force ushtarake në Kosovë.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se nga lufta në Kosovë u vranë mijëra njerëz, u shkatërruan mijëra shtëpi dhe shumë qytetarë u bënë refugjatë.

“Mbi 13 mijë të vrarë, mes tyre 1 mijë fëmijë. Kosova ishte mbushur me varre, e shumë kufoma ishin fshehur në varreza masive në Serbi”, pohoi ai.

Kryeministri theksoi se përgjatë këtyre 25 viteve janë bërë përkujtime për dëshmorë, por që tash është koha që për historinë dhe trashëgiminë e Kosovës të bëhen hulumtime shkencore.

Kurti u shpreh se kemi nevojë për shumë studime  shkencore dhe për botime akademike, siç tha ai, për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë, përcjell Klankosova.tv.

“Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teoritizuese”.

“Historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar, ngase ne si shoqëri dhe si shteti kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë.Kemi nevojë për shumë studim e shkencore dhe gjithashtu për botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë, për viktimat e luftës, për luftëtarët e lirisë, për dëmet e luftës, për kujtesën kolektive të luftës, për gjykimet për krimet e luftës, për masakrat dhe gjenocidit, pastaj për hyrjen e papritur të ushtarëve rus më 11 qershor 1999 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe largimin e tyre në vitin 2003, për intervetimet ushtarake, humanitare dhe për mësimet prej tyre, si në histori, ashtu edhe në ushtri e në diplomaci”, u shpreh Kurti.

25-vjetori i çlirimit të Kosovës do të shënohet me disa aktivitete radhazi për disa ditë./Lajmi.net/