Adriatik Kelmendi largohet nga pozita e drejtorit të Klan Kosovës

Gazetari Adriatik Kelmendi është larguar nga pozita e drejtorit të Klan Kosovës. Ai nga tani e tutje do të jetë anëtar bordi i Koorporatës si dhe do të udhëheqë emisionin e tij “Rubikon”, shkruan lajmi.net. Këtë, të ditur e ka bërë vet ai me anë të një postimi në Facebook. Postimi i plotë: Një mision…

Lajme

07/06/2023 12:38

Gazetari Adriatik Kelmendi është larguar nga pozita e drejtorit të Klan Kosovës.

Ai nga tani e tutje do të jetë anëtar bordi i Koorporatës si dhe do të udhëheqë emisionin e tij “Rubikon”, shkruan lajmi.net.

Këtë, të ditur e ka bërë vet ai me anë të një postimi në Facebook.

Postimi i plotë:

Një mision i përmbushur!

Kurrë në jetë nuk besoj se kam punuar më shumë dhe më me intensitet se sa këto tri vjet e tre muajt e fundit.

Por sigurisht se edhe kurrë më parë nuk jam kënaqur aq shumë për shkak se, bashkë me mua, kanë punuar shumë dhe me përkushtim edhe mbi 200 bashkëpunëtorë, secili më i mirë se tjetri.

Dhe punën e kemi bërë me shumë dashuri e pasion, me lotë gëzimi për çdo arritje dhe shtrëngim dhëmbësh përballë çdo sfide.

Me këta njerëz të mirë, me këtë energji e përkushtim, kemi ecur larg, shumë larg.

Klan Kosova jonë ka arritur nivelet më të larta të një mediumi në historinë e mediave kosovare. Natyrisht, kjo nuk ka qenë fare e lehtë!

Televizioni Klan Kosova sot ia ka dalë të bëhet larg i pari në shumë aspekte, me shikueshmëri në maja vështirë të arritshme.

Radioja e hapur së fundi ia ka dalë menjëherë të bëhet e preferuara e dëgjuesve kudo ku ka shtrirje.

Portali është një ndër adresat kryesore të informimit të shpejtë, të saktë dhe të besueshëm.

Gjatë kësaj periudhe, faqja e Klan Kosovës në Facebook është renditur në mesin e 6 faqeve me interaksionin më të madh të mediave në Evropë.

Njëjtë, kanali zyrtar në YouTube është shndërruar në lider në vend.

Për të mos u mjaftuar me kaq, Klan Kosova është bartëse e projektit më të madh televiziv ndonjëherë, franshizës Big Brother, gjë që e ka futur edhe Kosovën në mesin e adresave botërore ku realizohen spektaklet më të njohura globalisht.

Mos të harroj edhe një punë shumë të rëndësishme, e cila më bën edhe më shumë krenar – gjatë kësaj periudhe shumë gra të zonja kanë marrë përgjegjësi ekzekutive, duke ndërruar kolegët burra, nga anëtare bordi, kryeredaktore, redaktore, producente, autore e moderatore, duke përmirësuar ndjeshëm barazinë gjinore.

Tash, kur bëhen bilancet e kētilla, s’kam se si të mos ndjehem i përmbushur që për këto tri vjet e tre muaj kam qenë në krye të ekipeve me të cilat bashkërisht rendisim kaq shumë suksese.

Dhe nuk ka kënaqësi më të madhe, kur mund të tërhiqesh në kohën medial të cilin e ke udhëhequr ndodhet në zenit.

Nga sot unë do të marr përgjegjësi të reja si anëtar i Bordit të korporatës, si dhe t’i kthehem me përkushtim të plotë punës që e bëj me qejfin më të madh në botë – para publikut dhe kamerave në Rubikon (i cili në shtator hyn në sezonin e 20) dhe përballë kompjuterit duke renditur gërma në ekran të bardhë!

Shikuesve, dëgjuesve, lexuesve dhe bashkëpunëtorëve të brendshëm dhe te jashtëm – falënderim dhe përulje që e bëtë këtë rrugëtim timin në krye të Klan Kosovës një rrëfim suksesi.

Juaji,

Adriatiku

P.S.: Tri vjet e tre muaj po më duket është mandat më i gjatë se i secilit kryeministër në Kosovë!. /Lajmi.net/