Hovenier: Qeveria nuk i koordinoi veprimet e së premtes me SHBA-në

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat…

Lajme

30/05/2023 16:46

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.

Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Komunat, Zubin Potok, Leposaviq, dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, raporton REL

Hovenier e ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”.

Ambasadori amerikan ka thënë se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.