Pires kundër Mbappes si kapiten: Mungesë respekti ndaj Griezmann

Ish-legjenda e Francës, Robert Pires nuk mund ta kuptojë se si Antoine Griezmann u emërua vetëm si zëvendës-kapiten i kombëtares franceze. Didier Deschamps e konfirmoi dje se Kylian Mbappe është kapiteni i ri i Kombëtares së Francës, pas pensionimit të portierit Hugo Lloris, i cili e mbante shiritin e kapitenit. Ndërkaq, kundërshtari i vetëm i…

Sport

22/03/2023 23:42

Ish-legjenda e Francës, Robert Pires nuk mund ta kuptojë se si Antoine Griezmann u emërua vetëm si zëvendës-kapiten i kombëtares franceze.

Didier Deschamps e konfirmoi dje se Kylian Mbappe është kapiteni i ri i Kombëtares së Francës, pas pensionimit të portierit Hugo Lloris, i cili e mbante shiritin e kapitenit.

Ndërkaq, kundërshtari i vetëm i Mbappes për shiritin e kapitenit ishte Griezmann, dhe pas lajmeve mbrëmë që Mbappe do ta merrte këtë rol, ‘Le Parisien’ dhe ‘L’Equipe’ raportuan se Griezmann po e konsideron pensionimin nga detyra me kombëtare, transmeton lajmi.net.

Tani, duke folur për ‘Franceinfo’, Robert Pires, fitues i Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian me Francën, ka mbetur i habitur me faktin se Mbappe është kapiteni i ri i kombëtares franceze.

“Një zgjidhje logjike? Sinqerisht, jo. Duke marrë parasysh kohën e tij, atë se çfarë ka bërë përgjatë viteve, e prisja Griezmann”, tha Pires.

Ish-lojtari i Arsenalit vazhdoi më tej fjalët duke thënë se kjo gjë tregon mungesë respekti ndaj Griezmann.

“Antoine është lojtari kyç i Didier, lojtari me më së shumti paraqitje radhazi (74). Është mungesë respekti drejt Antoine. Por, më duhet ta ceku që nuk kam asgjë kundër Kylian Mbappes”, përfundoi ai.

Pires, i cili fitoi titujt më të mëdhenj të Francës me Deschamps si shok të skuadrës, tha se ai do t’i jepte shiritin e kapitenit Griezmann deri në Euro 2024, para se ta dorëzonte te Mbappe për Kupën e Botës 2026./Lajmi.net/