Pezullohet nga puna drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha është pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës, pas arrestimit të tij. Zëdhënësja e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë si pasojë e mbajtjes së Berishës në arrest, bazuar në aktvendimin e Gjykatës…

Lajme

02/11/2026 15:23

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha është pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës, pas arrestimit të tij.

Zëdhënësja e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë si pasojë e mbajtjes së Berishës në arrest, bazuar në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa vendimi për pezullimin e tij hyn në fuqi nga data 2 nëntor 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Pezullimi do të jetë i përkohshëm dhe do të vazhdojë deri në një vendim të ri lidhur me statusin e tij të punës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.

Sipas vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.

Në rast të mosrespektimit të saj, Policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.

Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.

Vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.