Ancelotti i përgjigjet drejtorit ekzekutiv të Atleticos: Korrupsioni është zhdukur
Carlo Ancelotti i është përgjigjur pretendimeve të forta të bëra nga drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, se Real Madridi merr trajtim preferencial nga gjyqtarët, duke këmbëngulur se korrupsioni nuk ekziston më në futboll. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Atleticos të premten, Gil Marin pretendoi se Reali favorizohet…
Sport
Carlo Ancelotti i është përgjigjur pretendimeve të forta të bëra nga drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, se Real Madridi merr trajtim preferencial nga gjyqtarët, duke këmbëngulur se korrupsioni nuk ekziston më në futboll.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Atleticos të premten, Gil Marin pretendoi se Reali favorizohet nga gjyqtarët dhe ka krijuar një atmosferë që influencon zyrtarët, transmeton lajmi.net.
Komentet e forta të Gil erdhën një ditë pas humbjes 3:1 të Atleticos në kohën shtesë ndaj rivalit, Real Madridit në ndeshjen e tyre çerekfinale të Kupës së Mbretit, të cilën Atletico e udhëhoqi për një orë derisa Rodrygo barazoi rezultatin në 1:1.
Karim Benzema dhe Vinicius Junior fituan ndeshjen për nikoqirët në “Santiago Bernabeu” në kohën shtesë, pasi Stefan Savic u përjashtua me të kuq nga loja.
Megjithatë, Atletico mendoi se mesfushori i Realit, Dani Ceballos, gjithashtu duhej të ishte ndëshkuar për rrëzimin e Thomas Lemar, kur veçse ishte me karton të verdhë.
“Kushdo që vëzhgon situatën nga jashtë mund të shohë se për dekada e njëjta gjë ndodh pothuajse gjithmonë,” tha Gil Marin në deklaratën e tij.
“Fatkeqësisht nuk befason më askënd, nuk është lajm. Është shumë e qartë dhe ju vetëm duhet të mbani mend historinë”, shkruante më tej Gil Marin.
Ancelotti hezitoi të përfshihej kur u pyet në lidhje me komentet e Gil Marin në një konferencë shtypi para ndeshjes së dielën në La Liga me Real Sociedadin, por ai shtoi se sugjerimet e gjyqtarëve që favorizojnë skuadra të caktuara janë të mëdha.
“Nuk i kam lexuar komentet, megjithëse kam dëgjuar diçka”, tha Ancelotti.
“Nuk dua të flas për këtë, e vetmja gjë që mund të them është se karakteri im është karakteri im dhe i respektoj të gjitha opinionet. Ishte një ndeshje konkurruese, një ndeshje e barabartë. Unë mendoj se nga ana jonë ne e merituam të fitonim. Pjesa tjetër janë çështje për të cilat nuk do të flas”, shtoi më tej italiani.
I pyetur nëse mendon se gjyqtarët në përgjithësi po bëjnë një punë të mirë, Ancelotti tha:
“Është shumë e komplikuar për ta. Dukej se me VAR mund të ndihmonte. Nuk flitet më për offside, për shembull. Por çdo gjë që nuk është objektive mund të krijojë polemika. Korrupsioni është zhdukur në krahasim me të kaluarën. Në përgjithësi, arbitrimi është përmirësuar shumë në të gjithë Evropën”.
Real Madridi tani e kthen fokusin te La Liga dhe një përballje me Real Sociedadin e vendit të tretë, i cili humbi ndaj Barcelonës në Kupën e Mbretit në mesjavë, por është në një seri fitoresh prej pesë ndeshjesh në ligë./Lajmi.net/