Vit i jashtëzakonshëm për Distrian, xhudistja: Jam e uritur për medalje të tjera

Rrugën e nisur me hov të madh nga Majlinda Kelmendi, po e vazhdon me sukses të jashtëzakonshëm xhudistja tjetër, Distria Krasniqi. Në secilën garë që mori pjesë gjatë vitit të kaluar, Krasniqi i siguroi Kosovës medalje elitare, të arta e të argjendta, duke u shndërruar kështu në një emër të frikshëm për secilën kundërshtare që…

Sport

07/01/2023 14:26

Rrugën e nisur me hov të madh nga Majlinda Kelmendi, po e vazhdon me sukses të jashtëzakonshëm xhudistja tjetër, Distria Krasniqi.

Në secilën garë që mori pjesë gjatë vitit të kaluar, Krasniqi i siguroi Kosovës medalje elitare, të arta e të argjendta, duke u shndërruar kështu në një emër të frikshëm për secilën kundërshtare që zbret në tatami përballë saj.

Në një intervistë për ‘KosovaPress’, Krasniqi thotë se viti 2022 ishte tejet i suksesshëm për të duke kulmuar me medalje të artë edhe në Masterin e Xhudos të zhvilluar në muajin dhjetor.

“Për mua ka qenë një vit shumë i mirë ku në të gjitha garat që kam marr pjesë jam kthyer me medalje. Nuk ka pasur garë në të cilën kam mbetur pa plasman, pavarësisht se e kam ndërruar kategorinë, kam qenë në kategorinë e re. Kështu që unë e vlerësoj si një vit shumë të suksesshëm duke marr parasysh që jam kthyer edhe me medalje botërore dhe evropiane, edhe tash së fundi nga Mastersi, kështu që shpresoj të vazhdoj kështu. Këto vitet e para Olimpiadës i marr si mësime edhe nëse nuk marr medalje të arta apo humbi ndonjë ndeshje, gjithmonë është si mësim në rrugën drejt Olimpiadës”, thekson ajo.

Madje, fitimi i medaljeve të arta në Masters, aty ku garojnë 36 xhudistët më të mirë në botë është shndërruar në një traditë për Distria Krasniqin. Ajo është shpallur kampione e këtij kampionati për katër vite radhazi, traditë, të cilën dëshiron të vazhdojë edhe më tutje.

“Gara e fundit, gara e Mastersit është një ndër garat më të forta në sportin e xhudos ku marrin pjesë vetëm 36 më të mirët nga secila kategori dhe fituam më së shumti pikë nga të gjitha garat. Kështu që është një garë shumë me rëndësi që zakonisht mbahet në fund të vitit. Unë për të katërtën herë radhazi po e marr medaljen e artë kështu që është një ndjenjë shumë e veçantë, është një ndër garat e mia të preferuara dhe shpresoj ta vazhdoj këtë traditë.”, thotë Krasniqi.

E kur pyetet se kush qëndron prapa sukseseve të saja të njëpasnjëshme, ajo ka një emër. Është trajneri më i mirë në botë, Driton Kuka. Ajo thotë se pa punën dhe këmbëngulësinë e tij, Kosova nuk do t’i kishte të gjitha këto suksese dhe medalje në xhudo.

“Dihet tash botërisht që çelësi i kryesor është Toni, trajneri ynë. Kërkon shumë disiplinë, shumë punë, kështu që nëse nuk do të ishte ai kaq shumë këmbëngulës, kaq shumë punëtor, besoj shumë që këto medalje nuk do të vinin, as nga unë, as nga Majlinda, as nga Nora, as nga të gjithë të tjerët,, kështu që normal që çelësi i suksesit është Toni. Prej që ishim fëmijë jemi në duart e tij kështu që ne punojmë shumë…Besoj shumë që puna shpërblehet gjithmonë. Unë i kam arritur të gjitha medaljet që i ka ëndërr një sportist por prapë jam e uritur për medalje të tjera. Jam ende e re dhe besoj që mund të marr pjesë në një apo dy Lojëra Olimpike të tjera”, shton Krasniqi.

Derisa synimi i madh janë Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, Krasniqi për KosovaPress zbulon objektivat që ka për vitin 2023.

“Objektivat e mia për vitin 2023 janë që ta përmirësoj mënyrën se si bëj unë xhudo, sidomos në kategorinë 52 kilogramë. Të kem performancë sa më të mirë, të kem ngritje në performancën time dhe normal që të kthehem me medalje nga Kampionati Botëror që mbahet në Doha në muajin maj.”, tregon Krasniqi.

Në karrierën e saj të deritanishme, Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 2020, medaljen e artë në Kampionatin Evropian të vitit 2021 dhe medaljen e bronztë në Kampionatet Botërore të viteve 2019 dhe 2022.