Paralajmëron ekonomisti: Jeta e qytetarit në Kosovë do të rëndohet edhe më shumë gjatë vitit 2023

Kriza ekonomike ka goditur pothuajse të gjitha vendet e botës gjatë vitit 2022, përfshirë këtu edhe Kosovën. Rritja e inflacionit, rrjedhimisht ndikoi edhe në rritjen e çmimeve të produkteve në përgjithësi. E në këtë pjesë ndikoi edhe lufta e nisur në Ukrainë, që bëri botën të ndjejë edhe më shumë krizën që po e kaplonte,…

Lajme

07/01/2023 21:13

Kriza ekonomike ka goditur pothuajse të gjitha vendet e botës gjatë vitit 2022, përfshirë këtu edhe Kosovën. Rritja e inflacionit, rrjedhimisht ndikoi edhe në rritjen e çmimeve të produkteve në përgjithësi.

E në këtë pjesë ndikoi edhe lufta e nisur në Ukrainë, që bëri botën të ndjejë edhe më shumë krizën që po e kaplonte, shkruan lajmi.net.

Një vit më i mirë nuk duket se do e pres Kosovën edhe gjatë vitit 2023.

Sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj, portofoli i qytetarëve tashmë veçse është ngarkuar me rritjen e inflacionit.

Në një prononcim për lajmi.net, Kadrijaj tha se janë dy faktorë të cilët po ndikojnë në gjendjen e ekonomisë në Kosovë. Sipas tij, faktor është trendi global dhe qeveria që nuk merr masa për ta fuqizuar ekonominë.

Gjithashtu ai e konsideron fatkeqësi importin e lartë që sipas tij, automatikisht ndikon në shportën e konsumatorit.

“Me këtë rritje dhe nivel të pagave çfarë qëndrojnë në Kosovë është jashtëzakonisht i ngarkuar portofoli i qytetarit. Janë dy faktorë që varen, njëra është niveli i trendit global, që për fat jo të mirë ne kemi import të lartë që ndikon tek shporta e konsumit po ashtu edhe deri tek derivatet që janë dy kategori që rëndojnë jetën e qytetarit. Por, kjo varet edhe nga faktori tjetër qeveria, se sa do të merr Qeveria masa në fuqizimin e prodhimeve vendor që, së paku pjesën e shportës së konsumit tek perimet që të fuqizohet dhe në fakt të mbulohet tregu vendor me prodhime vendore që do të ishte diçka e mirëseardhur duke ndihmuar edhe bizneset por edhe duke lehtësuar jetën e qytetarit”, tha Kadrijaj.

Ai ka deklaruar Qeveria ka deklaruar se ka subvencionuar më shumë se çdo qeveri e mëparshme sektorin e bujqësisë, por se ka thënë se ende nuk janë parë efektet e saj.

“Deri më tani qeveria me plotë gojën ka deklaruar se ka subvencionuar sektorin e bujqësisë më shumë se çdo qeveri tjetër, por deri më tani nuk janë parë efektet e saj”, tha ai.

Kadrijaj ka thënë se ekonominë e Kosovës e rëndon edhe përqindja e madhe e importit. Rregullimin e gjendjes Kadrijaj e konsideron që duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës.

“Kemi një import të lartë, mbi 85 për qind që është diçka jashtëzakonisht e rëndë për ekonominë e Kosovës. Ndoshta pranvera apo vera do të ketë ndonjë ndryshim, por ai ndryshim nuk vie me shkop magjik por duhet me politika ekonomike”, ka thënë Kadrijaj.

I pyetur nëse viti 2023 do të jetë më i mirë për nga ana ekonomike për qytetarët, Kadrijaj nuk është shprehur optimist.

Buxheti i vitit 2023 sikurse buxheti i vitit të kaluar është buxhet me politika sociale, në siguri dhe shëndetësi. Pra, më së pakti ka planifikim për investime andaj edhe besoj që nuk ka shanse të ketë ndryshime pozitive, diçka më të madhe, pasi që nuk do të ketë investime kapitale që do të fuqizonin biznesin vendor apo edhe pjesën e pagave. Andaj, unë mendoj se jeta e qytetarit gjatë vitit 2023 do të rëndohet edhe më shumë”, ka përfunduar Kadrijaj.

Kujtojmë se gjatë vitit 2022, Kosova ka shënuar rekord të importit duke importuar 5.6 miliardë euro mallra. /Lajmi.net/