Mes vështirësive dhe motivit, rrugëtimi i Faruk Kukajt me aftësi të kufizuara që u bë shembull për të gjithë

Atë që nuk e kishte bërë askush nga personat me aftësi të kufizuara, e bëri Faruk Kukaj nga Prishtina, duke u shndërruar në shembull për të gjithë. Me një padi ndaj Komunës së Prishtinës, ai i dha zë kërkesave të mijëra personave më aftësi të kufizuara në Kosovë. Pas katër vjetësh në proces, gjykata i…

Lajme

30/11/2022 20:38

Atë që nuk e kishte bërë askush nga personat me aftësi të kufizuara, e bëri Faruk Kukaj nga Prishtina, duke u shndërruar në shembull për të gjithë. Me një padi ndaj Komunës së Prishtinës, ai i dha zë kërkesave të mijëra personave më aftësi të kufizuara në Kosovë.

Pas katër vjetësh në proces, gjykata i dha të drejtë Farukut në padinë ndaj Komunës së Prishtinës për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Mora guximin dhe u konsultova së bashku me HANDIKOS-in, më kanë përkrahur edhe HANDIKOS por njëkohësisht është është involvuar dhe Avokati i Popullit i cili ka dhënë edhe mendimin e institucionit nga ana e tyre. E kanë konfirmuar se kanë diskriminuar ndaj meje. Në fund të 2018-ës janë dorëzuar paditë ndaj komunës dhe diku në 2020 apo në fund të 2019 është ardhë në shqyrtim. Kemi dalë në seancën e parë, ku janë mbledhur katër seanca dhe në fund është dalë se kam fituar procesin diskriminues ndaj meje, por prapë se prapë e kemi paraqitur në padi që komuna duhet të obligohet të krijojë përshtatshmëri dhe kushte në infrastrukturë komplet në qytet për persona me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Vështirësitë e funksionimit në Prishtinë për Farukun ishin dhe janë të përditshme.

Madje ai përmend faktin e pengesave të cilat iu kanë shfaqur gjatë viteve, të cilat fillojnë që nga oborri i banesës së tij në Arbëri, e deri tek institucionet publike dhe lokalet.

Mungesa e infrastrukturës për këtë kategori të shoqërisë, bëri që ai të përjetojë një eksperiencë të veçantë për nga natyra, po aspak të mirë. Ai, ishte zhveshur në oborr të një klinike për kontrollë mjekësore.

“Nuk kam pas probleme apo pengesa në marrjen e shërbimeve të ndryshme si qytetar ku jetoj, ka pas për shembull në klinikën e dermatologjisë për lëkurë kam pas probleme aty kam shkuar të ekzaminohem të trajtohem dhe çka kanë bërë mjekët, kanë dalë në oborrin e klinikës dhe më kanë desh krejt, jam dal aty dhe më kanë pa kalimtarët e rastit dhe janë çudit se çka ka ndodh me mua. Prandaj deri tash nuk kam mundur me përdor transportin publik fare”, ka shtuar ai.

Madje, atij asnjëherë nuk i është krijuar mundësia të takohet me shoqëri në një lokal, si pasojë e mungesës së infrastrukturës. Ashtu si edhe në institucione të ndryshme publike.

“Akoma tash kam sfida dhe probleme të lëvizjes në qytet, sepse në trotuare ose janë të parkuara veturat ose janë trotuaret e larta. Prapë se prapë duhet në shumicën e rasteve me lëvizë prapë në rrugë ku lëvizin veturat. Për atë jam i ekspozuar ndaj rrezikut. Tani edhe pse fitova rastin? Si pjesë që është vërtetuar se është pranuar nga gjykata se ka diskriminim, por pjesa tjetër është miratuar apo nuk ka përkrahje. E kemi marrë një vendim vazhdojmë me padi apo me ankesa të shkallës së dytë. Për të jetuar në Kosovë personi me aftësi të kufizuar konkretisht përdorues i karrocës, mjaftë sfiduese, mundem shumë gjëra me i lënë me i anashkalu me i lënë pa i shfrytëzu. Unë për shembull nuk kam mundësi të shkoj të bëj vizita familjare të mi, pasi që jetojnë në vende të ndryshme ku ka shkallë përjashtë apo e të tjera. E mos të them edhe në marrjen e shërbimeve sociale dhe shëndetësore që diku nuk ka mundësi të merret nëj shërbim po nuk ka qasje të plotë”, tha ai.

E, për një kohë të gjatë, Faruku ishte fytyrë e përditshme e sheshit të kryeqytetit. Duke mos lejuar të bëhet barrë për të tjerët, ai kishte themeluar një biznes të vogël në Prishtinë.

“Unë si i ri kam filluar shumë nëpër qendra, në korza kam ende pasion filmat, ku kam shikuar shumë filma në kinema atëherë ka qenë ‘Kino Rinia’ nëpër portale online dhe në një kohë kam shitur akullore kam pasur një frigorifer. Si të them sa ka qenë vështirë se nga frigoriferi vishin akulloret e gatshme, kam pasur punëtorë shumica e qytetarëve që kanë dal në qytet më kanë njohur si figurë që kam qenë sidomos verës nëpër korza nëpër disa vende pastaj më vonë në HANDIKOS edhe jam pasionant i elektronikës më intereson shumë dhe kam pasion për pajisje elektronike, për kompjuter fotoaparat, kamerë e kështu me radhë. Si person jam kureshtarë për shumë gjëra në përgjithësi jetësore”, u deklarua ai.

Edhe pse jeta ia bëri pothuajse të pamundur të studionte, ëndrrave të tij për dituri e zhvillim iu dha vetë doza realizimi.

“Sidoqoftë çdo kush duhet të mendoj për vete, për familje dhe më tutje, që do të thotë edhe fëmija nëse nuk ushqehet mirë duhet me qenë kërkues mos po mungojnë të drejtat e tua, sepse askush nuk vjen me të kërsitë në derë me thënë allahile çka ke nevojë se më ka ra ndërmend që je diku dhe ta di çka ke nevojë. Duhet me qenë këmbëngulës, i vetëdijshëm me caktua mënyrën e jetës dhe çka me kërku dhe me fillu edhe prej familjes e shumë personave me aftësi të kufizuara. Mundem të them që nuk janë të barabartë, nuk trajtohen barabartë nga anëtarët e tjerë të familjes, që për shembull ka diçka me vendos në bazë të familjes a pyten ata a është mirë a nuk është mirë a po vepron kështu”, tha ai.

Rrugëtimit të tij në jetë, ai tash e dy dekada po i jep ngjyrë me bashkëshorten tij, Mejremen, 18 vjet lidhje së bashku, ata vendosin t’i kurorëzojnë me martesë, në vitin 2018.

“Unë me gruan time jam njoftuar sepse edhe ajo është me aftësi të kufizuar dhe është studente e mjekësisë ka banuar në konvikt dhe e ka gjet vetën me kontribu si anëtare në Handikos dhe aty jemi njoftuar dhe gradualisht e kemi përafruar miqësinë e kemi bisedu në lidhje dhe 18 vite kam qenë me të në lidhje, ndërsa jemi të martuar që 3 vite. Unë punoj në HANDIKOS dhe ajo ka përfunduar studimet. Është mjeke e përgjithshme në qendrën e mjekësisë familjare në Vranjevc”, ka përfunduar ai.

Mejremja dhe Faruku u bën shtylla të njëri-tjetrit, për t’i dal ballë hapur cdo sfide që u solli jeta.

“Meqenëse ne njihemi shumë gjatë qysh prej fillimit të punës pas luftës në HANDIKOS, angazhimit tim si anëtare e personave me aftësi të kufizuar fizike në HANDIKOS. E kemi pas Farukun një udhërrëfyes me thënë të drejtën , një përkrahës i mirë edhe i drejtë, bashkëpunëtorë i ngushtë me të gjithë, mos të themi një shakaxhi e merr jetën me një shaka që konkretisht në vepra i shndërron ato, edhe është një shtyes motivues për të tjerët, ka qenë edhe për mua një përkrahës i mirë se pas luftës kemi kaluar disa sfida familjare me humbjen e prindit, njeriut më të dashur që e kam pasur edhe prind. Faruku ka qenë njëri nga shtyesit që të më shtyjë përpara të mos dorëzohem. Gjithëherë kam qenë luftarake. Këto kryesisht luftën e drejtpërdrejtë për ta arritur atë se çka e kam dashur edhe çka kam pasur dëshirë terë jetën, ëndrrën sidomos e kam që të jem një mjeke e ardhshme që e kam dashur qysh në vogëli profesionin”, është shprehur ajo.

Derisa edhe për të. prezantimi i Farukut tek anëtarët e familjes dhe shoqërisë ishte një sfidë në vete, duke pasur frikën pas vetes për reagimin e tyre ndaj tij.

Por, personaliteti dhe gjallëria e Farukut la në hije çdo paragjykim e vështirësi të mundshme.

“Faruku është shumë i shoqërueshëm, edhe unë çuditem si mundem ta menaxhoj jetën një përdorues karroce që me thënë të drejtën mundet edhe një shtet me Qeveri me udhëheq si menaxhment që është i mirë. E kam marrë edhe unë principin  dhe modelin e tij dhe ashtu jam duke e aranzhuar jetën me të gjitha ato obligime që kam edhe pse kam disa vështirësi që nuk i ndjej, me përkrahjen e tij të vazhdueshme. Gjithçka e ndajmë si shok nuk e kam si bashkëshort por edhe si shok të jetës pastaj me pa edhe në anën profesionale e ka një diapazon të gjerë të njohurive, lexon shumë hulumton shumë, internetin dhe kompjuterin e shfrytëzon maksimalisht, mediat edhe shpesh buzëqeshi me të sikur të kishe qenë student i mjekësisë aq shumë e njeh mjekësinë ndoshta ia ka bë edhe lloji i aftësisë së kufizuar. E njeh e ka një njohuri që hulumton dhe lexon shumë, edhe shpesh them që sikur të kishe qenë profesor në fakultetet tona shumë pak studentë do kishin dalë me kërkesa dhe hulumtimet që i bën ky vazhdimisht”, u shpreh ajo. /Lajmi.net/