Sqarohet Molliqaj: S’ka paralele mes asnjë qeverie të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit
Një deklaratë lidhur me trajtimin e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, bërë nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka marrë vëmendje të gjerë, por edhe kritika të shumta nga opinioni. Molliqaj, ka thënë se ka ngjashmëri mes trajtimit të serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. “Mënyra si…

Lajme
Një deklaratë lidhur me trajtimin e serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, bërë nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka marrë vëmendje të gjerë, por edhe kritika të shumta nga opinioni.
Molliqaj, ka thënë se ka ngjashmëri mes trajtimit të serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.
“Mënyra si e kemi trajtuar problemin e veriut kohëve të fundit dhe serbëve në veri, unë mendoj se ka rrezik dhe ka ngapak ngjashmëri me qysh na ka trajtu neve Millosheviqi”, ka deklaruar mbrëmë Molliqaj në T7.
Në sqarimin e tij të ndarë sot në ‘Facebook’, i pari i PSD-së ka thënë se nuk ka paralele midis asnjërës qeverie të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.
“Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit. Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë. Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura”, ka thënë Molliqaj.
Kryetari i PSD-së ka shtuar se ka tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit dhe depolitizimit të serbëve në diskursin e kryeministrit Albin Kurti.
“Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm”, ka thënë Molliqaj.
“Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t’i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet. Kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje”, deklaron më tej ai.