Peci i reagon edhe njëherë Krasniqit: Çfarë kriminelash – do t’ju rishpalos krimin e organizuar, do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar përsëri në Facebook pasi sot është aluduar se ai mund të jetë një nga kryetarët e komunave që mund të arrestohet. Një aludim i tillë është bërë nga ish-kandidati i Aleancës për deputet, Dardan Krasniqi. Peci me gjuhë të ashpër është marrë edhe me…
Lajme
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar përsëri në Facebook pasi sot është aluduar se ai mund të jetë një nga kryetarët e komunave që mund të arrestohet. Një aludim i tillë është bërë nga ish-kandidati i Aleancës për deputet, Dardan Krasniqi.
Peci me gjuhë të ashpër është marrë edhe me deklaratën e Daut Haradinajt sa i përket protestës së fundit ku ai tregon se aty ka pasur edhe njerëz që “kanë pasur edhe bomba”.
Peci thotë se pasi kërcënojnë deputetët me deklarime të tilla, të njejtit dalin nëpër studio televizive e flasin për arrestime të ish-ministrave.
Reagimi i plotë:
Paramendoni…çfarë kriminelash!
Paralajmërojnë gjakderdhje, tregojnë se kanë qenë të armatosur deri në dhëmbë, bejnë shantazh ndaj institucioneve e kërcënim direkt ndaj të zgjedhurve të popullit, ndersa nëpër studio të shitura e të shitshme televizive synojnë të krijojnë kauza e presion ndaj institucioneve të drejtësisë.
Thonë: ne ju vrasim, bile ja ku i kemi bombat, mandej nga frika e ndërhyrjes së mekanizmave të drejtësisë tentojnë të bëjnë paralele…një kryetar komune, ish-ministër, do të arrestohet sepse vëllai i një deputeti paska përfunduar në listën për fituesit e granteve (edhepse nuk ka përfituar asnjë cent).
Çfarë kriminelash!
Në ditët në vijim, sikur kam bërë gjatë krejt kohës si Ministër, do ta rishpalos prapë krimin e organizuar, abuzimet me pronat e zhvatjet që kanë ekzistuar në sektorin e Bujqësisë.
Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq.
Dhe, a e dini pse? Sepse, e para, edhe s’kam fije konsiderate për ju, edhe nuk ua kam frikën.
Dhe, e dyta – e më e rëndësishmja – unë e dua këtë Kosovë të bekuar, jo si plaçkë, por si vendi im i shenjtë, që nuk guxon të vidhet, të blihet e të shitet./Lajmi.net/