Programi i presidencës çeke në Këshillin e Evropës, a do të shqyrtohet liberalizimi i vizave për Kosovën?

Çekia e pa si prioritet dialogun Kosovë-Serbi, e cila nga korriku e deri në fund të vitit 2022 do ta udhëheqë Presidencën e Këshillit Europian. Këtë e bënë të ditur në programin me prioritete për gjashtëmujorin e dytë, gjatë kohës sa çekët udhëheqin me institucionin evropian.

Lajme

02/07/2022 17:42

“Presidenca çeke do të mbështesë dialogun politik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe do të fokusohet në ndikimin e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës në rajon. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në programin e publikuar si dokument.

Liberalizimi i vizave për Kosovën si çështje nuk përmendet në programin e presidencës çeke, por, sipas dokumentit, në fokus do të kenë zgjerimi i zonës Schengen që përfshin Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë.

Çekia do ta organizojë në tetor edhe një Konferencë Ministrore me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve nga Evropa Lindore, Azia Qëndrore dhe Turqia.

Franca ka udhëhequr me presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari deri më 30 qershor 2022. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur shtytje përpara të çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për udhëheqësinë e Çekisë është shprehur optimiste presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se shprehet e lumtur që Kosova të aplikojë në BE përgjatë kohës sa Çekia udhëheqë me Këshillin e BE-së.

“Derisa gjashtë muajt e ardhshëm mund të na ndihmojnë që të ecim përpara ata po ashtu paraqesin mundësi të madhe për të reflektuar në një nga padrejtësitë më të mëdha deri tani [liberalizimi i vizave]”, deklaroi ajo. /Lajmi.net/