Ikja e të rinjve shqiptarë nga Lugina, si shkak i presionit të Serbisë
Vetëm në tre vjetët e fundit mbi pesë mijë të rinj kanë ikur nga Lugina e Preshevës për në shtetet evropiane. Krejt kjo si pasojë e mungesës së vendeve të punës dhe mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga Serbia.

Lajme
Mehmet Dalipi, prind i tre fëmijë, dy nga ta janë në mërgim, në Zvicër për këtë gjendje fajëson Serbinë për mosgatishmërinë e saj për të hapur perspektivën për rininë shqiptare në këtë zonë.
“Kemi diskriminim, sepse s’ka hapje të fabrikave, s’ka hapje të ndonjë institucioni për punësim të rinisë dhe për atë rinia jonë ka marrë rrugën e mërgimit”, tha Mehmet Dalipi, mësues në rajonin e Luginës së Preshevës.
Ndërsa Marigona Mehmeti, e diplomuar tha se nëse nuk do të gjejë punë do të detyrohet të marrë rrugën mërgimit. Asaj nuk i njihet diploma e Republikës së Kosovës.
“Jam e diplomuar në Fakultetin e Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Arsyet e ikjes së të rinjve të Luginës së Preshevës është se të rinjtë nuk janë të punësuar dhe nuk arrijnë ta gjejnë veten”, tha Marigona Mehmeti.
Ndërsa autoritetet komunale thonë se institucionet janë të stërmbushura dhe që ato nuk mund ta zbusin papunësinë. Shteti i Serbisë nuk ka interesim për një zhvillim të ekonomisë as të një sfere tjetër që do të ndalte rininë.
“Duke pasur parasysh presionin e madh të Republikës së Serbisë, mosinteresimin në fushën e ekonomisë, në mosnjohjen e diplomave të Kosovës, nga njëra anë dhe mosinteresimi nga Kosova dhe Shqipëria nga ana tjetër, duk mos pasur një strategji të qartë për qytetarët e Kosovës Lindore, bënë që rinia jonë të largohet nga kjo pjesë”, deklaroi Shqipërim J. Musliu, zëvendëskryetar i Komunës së Bujanovcit.
Mosgatishmëria e qeverisë së Serbisë për të investuar në Luginë të Preshevës në hapjen e endeve të reja të punës, kriza e madhe ekonomike dhe mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës, janë disa nga faktorët që po ndikojnë që që rinia e kësaj ane të largohet drejt vendeve të Bashkimit Evropian.