Bajrami kritikon Qeverinë: Mbi 60% e projekteve kapitale kishin realizim zero për qind deri në qershor

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se, ndonëse Qeveria po e paraqet këtë proces si rishikim të buxhetit, organizatat e tjera buxhetore, përveç Ministrisë së Financave,…

Lajme

13/10/2026 19:16

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë lidhur me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se, ndonëse Qeveria po e paraqet këtë proces si rishikim të buxhetit, organizatat e tjera buxhetore, përveç Ministrisë së Financave, nuk kanë pasur mundësi ta rishikojnë buxhetin e tyre, transmeton lajmi.net.

Ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, sipas saj, gjatë gjashtë vjetëve në pushtet nuk ka bërë asnjëherë rishikim të mirëfilltë të buxhetit.

Bajrami i është referuar edhe raportit gjashtëmujor të shpenzimeve buxhetore të Ministrisë së Financave, duke thënë se mbi 60 për qind e projekteve kapitale deri më 30 qershor kishin shkallë të realizimit prej zero për qind.

Sipas saj, të dhënat e raportit tregojnë se kishte nevojë për një rishikim të mirëfilltë të buxhetit.

Postimi i plotë i Hykmete Bajramit:

Sot, në shumicën e komisioneve parlamentare, në rend dite ishte shqyrtimi i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

Qeveria po e quan këtë rishikim të buxhetit, por në fakt asnjë organizatë tjetër buxhetore, përveç Ministrisë së Financave, nuk ka pasur mundësi ta rishikojë buxhetin e saj.

Për gjashtë vite në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë asnjëherë rishikim të mirëfilltë të buxhetit.

A ka pasur nevojë për një rishikim të mirëfilltë të buxhetit këtë më se miri e thotë vetë Ministria e Finacave përmes raporteve të saj. Sipas raportit gjashtëmujor të shpenzimit të buxhetit mbi 60% e projekteve kapitale normën e realizimit deri me 30 qershor e kanë 0%./lajmi.net/