Jashari tregon se pse tha që dyshon se Kurti po bën përpjekje ta kthej Serbinë në Kosovë

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, ka listuar arsyet se pse në protestën e veteranëve ka thënë se kryeministri Albin Kurti po bën përpjekje që ta kthejë Serbinë në Kosovë.

Lajme

08/06/2022 19:54

Jashari ka thënë se ka disa arsye pse dyshon që Kurti po bën përpjekje ta kthejë Serbinë në Kosovë, duke filluar nga qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për raporton e Dick Martyt e deri te heshtja e Qeverisë për dënimin e ish-krerëve të UCK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj në Hagë.

“Ky është qëndrim i imi si përfaqësues i familjeve të dëshmorëve. Ne kemi bashkëpunuar me VV-në, por bashkëpunimet janë ndarë në vitin 2010, sepse ne e kemi kundërshtu raportet e Dick Martyt, dhe këtu i kemi ndarë rrugët e bashkëpunimit, pasi që VV-ja në atë kohë ka qenë pro raportit të Dick Martyt. Edhe thirrjet që ka ndodh në atë kohë për ish-kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, ku thuhej se Hashim Thaçi nuk është lufta çlirimtare, ka pasur edhe thirrje të tjera ku janë brohoritur : Edhe i bukur edhe tradhtar.

Unë personalisht kam biseduar me Kurtin dhe i kam sugjeruar që kjo qasje dhe këto që po ndodhin është gabuiar. Ky është argumenti i parë për ta sqaruar deklaratën që e kam dhënë në protestë”, tha Jashari.

Tutje ai përmendi edhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kur u thoshte kriminela.

“Pastaj i keni deklaratat publike të Albin Kurtit, i cili krerët e UCK-së i quan kriminelë dhe i bën thirrje të organeve të drejtësisë ndërkombëtare që të merren me ta sepse ata janë kriminalë. Pastaj deklarata e tij Shko Hashim në Hagë, dhe së fundi gjithë këto padrejtësi që po i ndodhin luftës së UCK-së ku sot i kemi krerët e UCK-së në Hagë që po përballen me padrejtësi, kryeministri nuk e flet asnjë fjalë.

Pastaj dënohen dy krerët e OVL-së UCK-së dhe qeveria e Kosovës hesht. Në vend që të mos ndodhin këto e të jemi të gjithë bashkë e t’i tregojmë botës që lufta ka qenë e pastër”, tha Jashari.

Jashari për deklaratën e tij tha se i ka dyshimet e tij për shkak të veprimeve të Qeverisë.

“Unë kam thënë që janë dyshimet e mija karshi veprimeve që është duke i bërë kjo qeveri, sepse kemi shumë probleme që nuk do të duhej të kemi, psh me ministrin Muratin, i cili shpif dhe mundohet të nxjerrët nga veprimet e tij, në vend që të zbatojë ligjin që është në fuqi.

Në këtë qeveri nuk do të ishte edhe një ministre e një dikasteri shumë të rëndësishëm, sic është Donika Gërvalla, kam respekt për prindin e saj, por çfarë do të thonë institucionet e Serbisë, kur e dëgjojnë një ministre në këtë qeveri, e cila akuzon dhe bën përpjekje ta baltos, sa që shkon aq larg se do të jetë dëshmitare kundër krerëve të UÇK-së. Mendoj që në një institucion normal në secilin shtet nuk do të duhej të kishin ndodh. Për deklaratën që e kam dhënë, unë jam këtu”, tha Jashari.

Përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve i kërkoi ballafaqim kryeministrit Albin Kurti, për të argumentuar dhe kundër argumentuar veprimet e qeverisë karshi veteranëve të UÇK-së.

“I kërkoj ballafaqim kryeministrit Albin Kurti, që t’i qesim argumentet dhe kundër argumentet. Janë dyshimet e mija, edhe do ja them. Unë mund të jem i gabuar, sepse është një kryeministër që nuk ka lënë fyerje pa ju bo krerëve të UCK-së duke i quajtur kriminelë e tjerë. Megjithatë jam i gatshëm të ballafaqohem edhe me kryeministrin dhe këdo tjetër”, tha Jashari,.

Kujtojmë se në protestën e mbajtur dy ditë më parë, Jashari tha se “Deputetët që bien pre e një kryeministri të tillë dhe ngrisin dorë apo votojnë një ligj të tillë për ndryshim ku përjashtohet kategorizua më e ndritur veteranët e luftës, bëhen krah i një kryeministri që ne dyshojmë se bën përpjekje që ta kthejë Serbinë në Kosovë”.